Avokati i Popullit i brengosur për gjendjen në RTK

23 Shtator 2014 - 10:50      

Prishtinë, 23 shtator – Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin për kërcënimet ndaj gazetarëve dhe medieve, si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe të frymëmarrjes demokratike në vendin tonë.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për ngjarjet e kohëve të fundit lidhur me kërcënimet ndaj gazetarëve, të raportuara për mes medieve dhe reagimeve publike.
Kërcënimet ndaj gazetarëve, sulmet verbale dhe fizike , kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e medieve dhe lirinë e shprehjes,si dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë.

Pa marrë parasysh se kush qëndron prapa kërcënimeve, veprimet e tyre paraqesin jotolerancë dhe janë të papranueshme e të dënueshme. Së këndejmi autoritetet përkatëse kanë obligim kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme në mënyrë që gazetarët të kryejnë rolin e tyre të domosdoshëm në demokracinë tonë, pa asnjë lloj pengese.
Për Avokatin e Popullit është brengosëse edhe gjendja e krijuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), midis menaxhmentit dhe Sindikatës së Pavarur të këtij mediumi publik.

Gjetja e gjuhës së arsyes dhe rrugëve ligjore për zgjidhjen e kundërthënieve brenda RTK-së është e domosdoshme. Avokati i Popullit kërkon transparencë dhe llogaridhënie kundrejt publikut lidhur me atë se çfarë po ndodh brenda mediumit i cili financohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Për Avokatin e Popullit mbetet shqetësues mosrespektimi i Ligjit të Punës në RTK dhe në shumë media të tjera, veçanërisht në lidhje me kontrata të punës së gazetarëve të të gjitha profileve. Kjo çështje kërkon vëmendjen e institucioneve kompetente, për të krijuar një ambient më të favorshëm për gazetari cilësore dhe në funksion të informimit të drejtë e të saktë të publikut.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit gjithashtu u bën thirrje mediave, por edhe prokurorisë e policisë, që në rastet e veprimit sipas kompetencave ligjore mos të shndërrohen në instrumente që cenojnë privatësinë dhe dinjitetin e individëve. Jashtëzakonisht janë shqetësuese rastet e arrestimeve mediale, të cilat automatikisht paragjykojnë fajësinë e individëve. Jo më pak shqetësuese janë edhe rastet kur çështje personale të individëve bëhen objekt debatesh publike përmes mediave, pa pasur një interes të përgjithshëm që do ta arsyetonte një cenim të tillë të së drejtës së tyre të privatësisë.

Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë të drejta të garantuara në vendin tonë, me Kushtetutë dhe me marrëveshjeve e instrumente ndërkombëtare, të zbatueshme drejtpërdrejtë në Kosovë. Po të njëjtat instrumente e obligojnë shtetin, jo vetëm të mbrojë mediat nga sulmet dhe të mbrojë lirinë e shprehjes, por edhe të mbrojë të drejtat e individëve nga shpërdorimi i fuqisë mediale.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...