Foto: Driton Paçarada

Sindikalistët e RTK-së ankohen në EBU

11 Shtator 2014 - 13:59      

Sindikata e Pavarur e RTK-së, në një letër dërguar drejtoreshës së përgjithshme të EBU-së. ka shprehur shqetësimin e saj, në emër të 400 anëtarëve, lidhur me gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhet radiotelevizioni publik.

“Për dijeninë tuaj, RTK është duke u hetuar nga njësia për krime financiare dhe korrupcion. Vetëm një ditë pas dëshmisë së Kryetarit të Sindikatës, Fadil B.Hoxha, i ftuar nga kjo njësi në cilësinë e dëshmitarit, Menaxhmenti i RTK-së u vërsul në mënyrën më të egër në drejtim të përfaqësuesve të Sindikatës.

Ndaj nënkryetarit të Sindikatës, Arsim Halili, i cili njëherëësh është edhe anëtarë i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës shqiptoi masën, vërejtje e fundit me shkrim-parapërjashtim, kurse ndaj anëtares së Kryesisë së Sindikatës, Behare Bajraktari, masa e shqiptuar është me largim nga puna në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, duke ia ndaluar edhe hyrjen në objektet e RTK-së”, thuhet në këtë letër.

Kjo sjellje e pashembullt e Menaxhmentit të RTK-së ndaj Sindikatës së Pavarur, sipas kësaj të fundit, vie vetëm disa ditë pas Samitit të Berlinit, nga i cili takim u dha porosia e qartë për rolin e medieve e Sindikatave të Pavarura në procesin e integrimit në BE.

“Ky veprim, njëherit është edhe një argument më shumë rreth tendencës së menaxhmentit , për ta fshehur të vërtetën rreth parregullsive dhe situatës financiare në të cilën ndodhet RTK. Vlen te theksohet se drejtori gjeneral, Mentor Shala, disa herë publikisht, ka dhënë shifra kontradiktore rreth borxhit financiar me të cilën po përballet RTK. Në fillim të mandatit të tij në postin e drejtorit gjeneral, më saktë, me datë 6 mars 2013, në të përditshmen “Kosova sot”, ai përmend shifrën mbi 3 milion euro borxhe. Vetëm disa muaj më vonë, më 18 qershor 2013, z. Shala, publikisht deklaron borxhin në vlerë prej rreth 4 milion eurove, dhe së fundi, me 21 janar të këtij viti, në lajmet qendrore të RTK-së, ai flet për rreth 5 milion euro borxhe”, thuhet në këtë letër.

Sipas Sindikatës, përveç degradimit financiar, gjendja në rrafshin programor e organizativ është në shkallën alarmante.
“Nuk mbahet mend që RTK të reprizojë programe në pikun e shikueshmërisë, derisa brenda saj ka një staf profesional dhe me përvojë të gjatë, si në fushën e gazetarisë ashtu edhe në atë të teknologjisë. I gjithë problemi qëndron në faktin se ky menaxhment është i painteresuar që këtë potencial ta vë në shërbim të programit dhe të profesionalizmit”.

Ata kanë shkruar se në adresë të Sindikatës vazhdimisht pranojmë ankesa nga gazetarët dhe redaktorët të cilët censurohen, pengohen në punën e tyre, degradohen, madje ndaj tyre mirren masa ndëshkuese deri me largim nga puna.
“Shqetësuse janë edhe punësimet e pakontrolluara dhe pa mbulesë financiare të cilat po ndodhin kohëve të fundit. E gjithë kjo po bëhet nën pretekstin e zhvillimit, ku po favorizohen familjarët e menaxhmentit dhe të pushtetarëve, madje shpeshherë duke mos u respektuar fare institucioni i konkursit. Të gjitha këto veprime, si dhe mosaprovimi i raportit te performancës për RTK nga shumica e ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, e bëjnë këtë menaxhment të komprementuar në mënyrë të pariparueshme”, thuhet në letër.

Përgjegjësia e drejtorit aktual gjeneral, Mentor Shala, sipas letrës së Sindikatës, lidhet edhe me të kaluarën e RTK-së.
“Në mandatin e kaluar, z.Shala, përvec postit të zv. drejtorit gjeneral ishte edhe në krye të shumë komisioneve vendimarrëse, si atij për blerjen e produkteve të jashtme vizive nga producentët e pavarur, blerja e pakontrolluar e të cilave bëri që RTK të zhytet në obligime të thella financiare. Po ashtu, skandali rreth falsifikimit të raporteve financiare nga menaxhmenti i kaluar i RTK-së, për të cilin kishte shkruar e perditshmja “Koha ditore”, duke sjellur për këtë çështje si dëshmi një audio incizim, z. Shalën e gjen nën përgjegjësinë e zv. drejtorit gjeneral të RTK-së. Gjithashtu, rreth ndikimit të politikës në zgjedhjen e drejtuesve të RTK-së flitet edhe në raportin e progresit të BE-së për Kosovën, për periudhën 2013”, thuhet në letrën e Sindikatës drejtuar EBU-së, derisa bëhet me dije se për të gjitha këto shkelje, ata kanë informuar edhe institucionin e Avokatit të Popullit pas një takimi të perbashkët që është zhvilluar javën që shkoi. Ndërsa, një bashkëpunim të mirë Sindikata thotë se ka krijuar me përfaqësuesit e Sindikatës për Medie dhe Komunikim “Syndicom”, pas vizitës që ata i kanë bërë sindikatës ku është marrë premtimi se këto shqetësime do t’i ngrejnë në instancat më të larta sindikale në Zvicërr.

“Duke e llogaritur institucionin që Ju drejtoni, si mbështetësin më të madh të RTK-së, në emër të punonjësve të RTK-së kërkojmë nga Ju që ta përkrahni kërkesën tonë për një hetim të përgjithshëm të RTK-së, me qëllim të konstatimit të gjendjes reale të saj. Gjithashtu, kërkojmë që të ndikoni që Sindikatës së Pavarur të RTK-së t’i mundësohet ushtrimi i veprimtarisë pa u penguar nga punëdhënësi, konform ligjeve të aplikueshme në vendin tonë dhe në BE”, përfundon letra e Sindikatës me emër të kryetarit Fadil Hoxha, drejtuar drejtoreshës së EBU-së.

© KOHA.net

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...