28 Korrik 2014 - 21:30
Debat i ashpër u zhvillua mes Besnik Krasniqit, Ferdije Zhushit dhe Dukagjin Pupovcit.
Ferdije Zhushi thotë se nuk bëhet lehtë akreditimi në Kosovë pasi agjencia ka vendosur sistem dhe procesi i akreditimit nuk është i lehtë.
“Ne nuk mund të bëjmë prerje të thella me ndërpre ashtu siç po mendoni, pastaj investimi në arsim është i ulët. S’ka cilësi pa pare”, ka thënë Zhushi.
Më tej, Besnik Krasniqi thotë se Universiteti i Prizrenit dhe Universiteti i Pejës ka funksionuar në mënyrë të paligjshme, “pra ka startuar në mënyrë të paligjshme pa vendim të Kuvendit ndërsa ju i keni dhënë akreditim me kusht pa vendim të kuvendit”.
Ndërkaq, Hasnije Iljazi ka thënë se rekomandimet që vijnë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës ndonjëherë janë totalisht të paimplementueshme për shkak të mungesës së financave.
E Dukagjin Pupovci, Ekspert i Arsimit të Lartë, ka thënë se ka ndikime politike edhe në Agjencinë e Akreditimit.
“Janë formuar 5 Universitete të reja Publike në Kosovë, asnjëri prej tyre kushtet ligjore për të qenë universitete nuk i përmbushë, por agjencia nuk mundet me dal jashtë vendimeve politike dhe e gjejnë një kompromis dhe thirret Universitet në themelim diçka që në ligj nuk e kemi, dhe po krijojmë iluzion se kemi kapacitete me i mbajt 6 Universitete, kurse sa i përket financave për këtë vit do të shpenzohen 569 euro për kokë studenti, vitin e ardhshëm 462 euro, vitin 2016 do të jetë 437 euro. Pra, çfarë cilësie pritni kur shkurtohet buxheti çdo vit? Kjo edhe është influence politike”, ka thënë Pupovci, transmeton Koha.net.
Këtë deklaratë e ka mbështetur edhe moderatori i emisionit, Mefail Bajqinovci, i cili tha se vendimet janë politike për hapjen e Universiteteve të reja.
Zhushi thotë se Agjencia e Akreditimit asnjëherë nuk është konsultuar kur janë themeluar Universitetet e reja publike “dhe unë mendoj se ato më mirë kanë qenë të themeloheshin si degë të reja të Universitetit të Prishtinës se sa të jenë Universitete të reja”.
Besnik Krasniqi e pyet Zhushin se a i plotësojnë kushtet për tu akredituar si Universitete këto që i ka hapur Qeveria.
“Në këtë moment, asnjëra nuk i plotëson kushtet për të qenë Universitet”, ka thënë Zhushi.
E ndaj kësaj deklarate sërish reagon Krasniqi, i cili thotë: “Po pse i jepni akreditim pra pasi nuk i kanë plotësuar kushtet këto universitete kur dihet se këto janë vendime ilegale të qeverisë, ndryshe po jepen vendime për institucionet private e ndryshe për atë publike”.
“Sepse Besnik emërtimi është bërë më herët dhe janë institucione të themeluara emërtimi është bërë nga ministria”, është përgjigjur Zhushi.
Ndërkaq, Pupovci ka thënë se mendon që ka Institucione Private që e meritojnë të jenë Universitete.
“Unë mendoj se ka institucione private që e kanë cilësinë shumë të mirë. Problem në institucionet private është mungesa e stafit akademik që duhet të jenë të rregullt. Në momentin që arrihet stafi akademik dhe programet, ne do të punojmë të bëhen Universitete”, ka theksuar Zhushi, transmeton Koha.net.
Më tej u fol edhe për dokumentin e ENKA-s, për të cilin moderatori Bajqinovci kërkon të dihet se cila është ë vërteta e këtij dokumenti dhe kur do të anëtarësohet Kosova në ENKA.
“Dokumenti nuk tregon se ka korrupsion por tregon se ne e kemi kryer punën shumë mirë por kjo informatë ka rrjedh nga Universitet Private. Dua t’ju tregoj se ky dokument tregon punën e mirë që ka bërë kjo agjenci”, ka thënë Zhushi.
Më pas nis edhe të nxehet debati pasi gazetari Besnik Krasniqi thotë se Agjencia e Kosovës për Akreditimi është politike, “në bord janë politikanë, ambasadorë, krejt politikanë. Qysh nuk jeni i politizuar”.
Zhushi thotë se nuk ka. “Besnik, ashtu qysh po mendon të pavarur, s’ka asnjë institucion pa politikanë, por ne jemi të pavarur në punë”, thotë Zhushi.
“Agjencia e Akreditimit ka qenë shumë indiferente pas daljes në publik të botimeve nëpër revista të rreme të profesorëve në UP edhe rektorit Gashi. A e dini pse? Sepse edhe ju Zonja kryetare keni botuar punime nëpër revista të tilla”, i thotë Krasniqi Zhushit.
“Ju Besnik a po doni me i qitë në turmë të druve profesorët. Është e vërtetë që unë kam publikuar një punim. E vërteta është që institucioni mund të thotë: Ferdije mund t’i kesh 0 pike ose 5 pikë”, ka thënë Zhushi.
Më tej, gazetari Krasniqi kërkon nga Zhushi të sqarojë se çfarë ka shkruar ajo në punimin e saj.
“Mirë, ti mund të thuash se kjo nuk është shkencë edhe merr 0 poena, ama jo me na qit në turmë të druve”, thotë Zhushi.
“Tregoj publikut çfarë shkence është kjo, çka janë këto paragrafe, çka tregojnë. Tregoja publikut këto paragrafe çka shkruan. Mefail, këto tregojnë për procedurat se qysh punohet punimi shkencor. Merre me mend çfarë cilësie presim kur punimi është i këtij niveli duke treguar se kreu i Agjencisë së Akreditimit ka botuar punim në Indi dhe në këtë punim, Mefail, ka përfshi procedurat se si punohet një punim shkencor, dhe e dyta, procedurat si bëhet pagesa. Unë e kam nxjerrë nga revista. Unë kam përgjegjësi penale nëse rrej”, ka thënë Krasniqi, transmeton Koha.net.
E Zhushi, deklaratën e Krasniqit e ka quajtur të pavërtetë.
Më tej, Mefail Bajqinovci tha se rektori i ri, Anton Berishaj, do t’i nis hetimet për punimet shkencore dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj pune. Por pyet se pse janë ndaluar këto hetime.
“E vërtetë është kjo që thoni ne kemi bërë shumë sa i përket publikimeve të CV-ve të Profesorëve dhe jemi duke punuar për këtë çështje. Brenda Senatit është formuar komisioni që duhet të hetojë punimet. Kjo punë është duke u bërë për momentin dhe nuk është përfunduar ende. Duhet edhe 5 ndërkombëtarë të jenë në këtë grup me e rritë besueshmërinë”, ka thënë Ilazi.
Ndërkaq, Besnik Krasniqi thotë se Senati do t’i bllokojë këto hetime sepse, sipas tij, “shumica e dekanëve kanë publikuar kësi lloj punime nëpër revista indiane”.
“Keni mandat edhe një muaj e gjysmë dhe nuk e keni funksionalizuar ende komisionin. Keni dhënë premtime pa mbulesë e nuk i përmbushni, prorektore”, i drejtohet Krasniqi, Ilazi.
Moderatori Bajqinovci e pyet prorektoren Ilazi se a janë të gjithë dekanët të politizuar.
“Ligji për Arsimin e Lartë e mundëson që kanë të drejtë të jetë dekanë edhe pse ka qenë diku në parti përpara, edhe pse politika më shumë e ka penguar se sa që e ka ndihmuar UP-në”, ka thënë Ilazi.
Ndërkaq, Dukagjin Pupovci ka thënë se pritjet kanë qenë të mëdha nga ky menaxhmenti i ri i UP-së, por se, sipas tij, nuk kemi vërejt nga rektori ndonjë gatishmëri që të merret me çështje aktuale ditore, por më shumë është marrë më ndryshimin e reputacionit të UP-së pa bërë ndryshime thelbësore, transmeton Koha.net.
“Kemi raste kur janë ngadalësuar rastet e tilla për tu hetuar nga komisioni i etikes ku kanë sjellë deri tek një degradim i UP-së ku edhe gazetat prestigjioze botërore kanë shkruar për UP-në. Nuk janë vetëm botimet kontestuese të rektorit problem, por edhe arrestimi masiv për korrupsion të asistentëve. Të arrestuar për korrupsion dhe janë kthyer në punë. Ky është skandal. Sa i përket rregullores së re për avancimet akademike, kjo veç i legalizon publikimet në këto revista të dyshimta”, ka thënë Pupovci.
Gazetari i “Kohës Ditore”, Besnik Krasniqi, tha se në UP ka shumë probleme.
“Ne po flasim për cilësi, kur ju Zonja Zhushi jeni gardiani, mbrojtësi, i cilësisë, ndërsa vet keni publikuar nëpër revista të dyshimta dhe jeni avancuar. Çka me prit ma prej kësaj pune? Në një vend normal, hapi më i vogël kish me qenë me u largu prej këtij institucioni ku jeni duke e udhëheq. Me çfarë të drejte ju i thoni dikujt nga ndonjë departament se i ka të dyshimta punimet, kur vet jeni implikuar”, ka thënë Krasniqi.
© KOHA.net
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...