Biografia e Isa Mustafës

17 Korrik 2014 - 14:45      

Prishtinë, 17 korrik – Isa Mustafa u lind më 15 maj 1951 në Prapashticë, Komuna e Prishtinës. Është i martuar, ka një vajzë dhe dy djem. Jeton në Prishtinë, ku ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik.

Ka magjistruar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financiar dhe ka doktoruar në ekonomi, në fushën e Lidershipit të bizneseve. Është profesor në Universitetin e Prishtinës, në modulet e Mikroekonomisë dhe Menaxhmentit Financiar dhe në Universitetin AAB&Riinvest.

Është zgjedhur Kryetar i Komunës së Prishtinës, në dhjetor të vitit 2007 dhe në nëntor të vitit 2009. Punën dhe ekspertizën profesionale e ka filluar në vitin 1974, në Universitetin e Prishtinës. Ndërohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999). Pas luftës është angazhuar kryesisht në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës. Një kohë ka qenë edhe Këshilltar i Lartë i Presidentit të Republikës së Kosovës. Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në universitete të huaja.

Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit. Ka qenë aktivisht i angazhuar në grupet e ekspertëve në bisedimet e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci, ku si ministër i Ekonomisë dhe Financave ka qenë njëri nga ideatorët dhe themeluesit e “Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës”, i cili falë mbështetjes së bashkatdhetarëve dhe popullit të Kosovës arriti të sigurojë mbijetesën në Kosovë, funksionimin e arsimit dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare. Prej Kuvendit të Gjashtë të LDK-së ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në nëntor të vitit 2010 është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokrarike të Kosovës.
Ai është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. (Biografia është marrë nga arkivi i QIK-ut)

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...