PD: Deputeti Arben Ndoka, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni

12 Korrik 2014 - 17:36      

Partia Demokratike publikoi sot dokumente, që sipas saj, vërtetojnë akuzat për lidhje të kryeministrit Edi Rama me krimin. Në një deklaratë nga selia e PD-së, deputeti Arben Ristani publikoi një dosje, që sipas tij, i përket deputetit socialist Arben Ndoka, i cili rezulton i dënuar nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni dhe heqje të paligjshme të lirisë.

“Po bëjmë sot publike para qytetarëve shqiptarë, dokumentet zyrtare që vërtetojnë lidhjen e Edi Ramës me krimin. Dokumentet zyrtare që vërtetojnë se përfaqësuesit e botës së krimit janë sot deputetët e Edi Ramës, që urdhërohen prej tij për të goditur fizikisht opozitën. Kemi këtu dosjen e plotë të deputetit Arben Ndoka, i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara, dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë. Gjykatat shqiptare, ajo e faktit në Lezhë, dhe e Apelit në Shkodër kanë bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Romës dhe e kanë ulur masën e dënimit në 4 vjet burgim. Arben Ndoka, është transferuar nga Italia për ta vuajtur dënimin në Shqipëri. Arben Ndoka më pas ka përfituar nga sistemi ynë i drejtësisë lirim para kohe me kusht, dhe në vitin 2005, është liruar. Ky është pra personi që Edi Rama futi në listën e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit. I rikujtojmë shqiptarëve se për ti hapur rrugë futjes së Arben Ndokës në Parlament, Edi Rama spostoi dhunshëm dy deputete gra që ishin para Ndokës në listën e kandidatëve. Ky është personi që Edi Rama urdhëron të godasë fizikisht deputetët e opozitës. Kjo është rilindja e Edi Ramës”, deklaroi Ristani.

Një ditë më parë dy deputetët e PS-së Armando Prenga dhe Arben Ndoka përgënjeshtruan akuzat e PD-së se ata kanë patur probleme me drejtësinë italiane.

Deputeti Prenga u shpreh se nuk është dënuar dhe nuk ka pasur probleme në Itali, madje në këtë shtet mund të shkojë çdo fundjavë. “Ftoj të shkojmë bashkë në Itali, Laurën, Strazimirin, Jozefinën dhe Lulin”, theksoi deputeti i PS-së.

Kurse kolegu i tij, Arben Ndoka me anë të një postimi në “Facebook” u shpreh mes të tjerash se “dua t’i kthej në memorie opozitës se në kohën që ajo qeveriste, emërimi i Arben Ndokës si drejtor në një nga Institucionet e rëndësishme të vendit mbante firmën e ministrit të tij dhe të Sekretarit Organizativ të PD-së. Si ka mundësi që PD i ka kërkuar një ‘krimineli’ si Arben Ndoka që t’i përfaqësojë në zgjedhjet lokale për Bashkinë e qytetit Lezhë?", u shpreh ai. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...