Këta janë 9 deputetët dhe kryebashkiakët që po i heton prokuroria

14 Shkurt 2017 - 15:37      

Nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë janë në listën e prokurorisë me dyshimin se ata janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit.

TopChannel verifikoi listën e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë nga burime zyrtare dhe rezultoi se 6 prej tyre janë deputetë dhe 3 kryebashkiakët e Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit.

Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi janë deputetët që Top Channel konfirmoi se po verifikohen nga prokuroria.

Të gjithë këta zyrtarë, përveç Mhill Fufit dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, janë të mazhorancës. Por ndërkohë edhe Mhill Fufi është i përjashtuar nga grupi i PD, pas votës së tij për një nga shtatë ligjet e drejtësisë dhe nga selia blu llogaritet si votues i maxhorancës.

Ndërkohë, burime jo zyrtare i thanë TCH se edhe raportet e kryebashkiakut të Pogradecit Kapri janë të ftohta me selinë blu dhe ai është afruar sërish me partinë e tij të dikurshme, LSI.

I kontaktuar nga TCH, deputeti Artan Gaçi tha se nuk është dënuar kurrë dhe nuk ka marrë kurrë asnjë gjobë të vetme në asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian.

Por çfarë bie në sy është se prokuroria ka përfshirë në proces edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burime të besueshme konfirmuan për Top Channel se Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në KQZ disa shkresa me përmbajtje të njëjtë për 9 funksionarët publikë, duke kërkuar informacion se në çfarë stadi verifikimi janë formularët e tyre të dekriminalizimit.

Ky është një proces që KQZ-ja e ka kryer prej disa muajsh, kur u be edhe mbledhja e formularëve të deklarimit dhe konfirmohet se përgjigja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është se 6 deputetët dhe 3 kryebashkiakët nuk janë në pozitat e humbjes së mandatit.

Përgjigja zyrtare e KQZ është nisur të hënën drejt prokurorisë, e cila është e vetmja hallkë që mund të hetojë për të shkuarën e këtyre zyrtarëve, jashtë kufijve të vendit dhe më thellësisht në kohë dhe në përmbajtje. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...