13 Shkurt 2017 - 19:48
Indeksi i cilësisë së ajrit, i matur nga ambasada amerikane në Prishtinë, tejkaloi shifrat prej 300 për disa ditë me radhë gjatë muajit dhjetor, nivel ky i identifikuar si i rrezikshëm për shëndetin. Smogu i zi mbi Prishtinë shkaktohet nga termocentralet me qymyr në dalje të qytetit dhe nga përdorimi në masë i qymyrit për ngrohje.
Indeksi i cilësisë së ajrit i matur nga ambasada edhe të hënën në mëngjes ishte në nivelin e kuq, në 152.
“Kur i lajmë rrobat tona të bardha dhe i vendosim jashtë për t’i tharë, shpesh na duhet t’i lajmë sërish për shkak të pluhurit”, thotë për Reuters Besim Sllamniku, i cili jeton afër termocentraleve, transmeton Koha.net.
Kosova, e cila është e pesta në botë për kah rezervat i linjitit, bazohet në qymyr për prodhim të energjisë elektrike dhe shumë shtëpi e përdorin atë për ngrohje sepse është mënyra më e lirë në treg. Por përdorimi i tepruar i qymyrit është duke i dhënë efektet e tija negative.
“Kemi rritje të numrit të pacientëve”, ka thënë për Reuters Skender Baca, pulmolog në spitalin shtetëror.
Një studim i vitit 2013 nga Banka Botërore ka treguar se ndotja e ajrit në Kosovë është vlerësuar se shkakton 852 vdekje të parakohshme dhe 318 raste të reja të bronkitit kronik çdo vit.
Gjendja nuk është më e mirë as në shtetet tjera të Ballkanit. Sipas shifrave zyrtare, cilësia e dobët e ajrit në kryeqytetin maqedonas, Shkup, është shkaktare për vdekjen e parakohshme të 1,300 personave çdo vit.
Bosnja është në vendin e pestë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga ndotja e ajrit, me 92 vdekje për çdo 100,000 banorë. Ajo vjen pas Ukrainës, Bullgarisë, Bjellorusisë dhe Rusisë.
Anes Podic, një aktivist i organizatës “Eko akcija” në Sarajevë, ka thënë se termocentralet me qymyr dhe përdorimi i qymyrit për ngrohje ishin shkaktarët kryesorë të ndotjes në Bosnje.
“Shporetet me dru janë të një cilësie të dobët dhe kanë lirim të madh të gazrave”, ka thënë ai, duke shtuar se qeveria duhet të ndalojë përdorimin e qymyrit për ngrohje dhe të reduktojë ndotjen, transmeton Koha.net.
Aleanca për Shëndet dhe Ambient me bazë në Bruksel (HEAL) ka treguar përmes një hulumtimi të vitit të kaluar se rreth 60 për qind të emetimeve në Ballkanin Perëndimor mbërrijnë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Nëse BE dëshiron të përmirësojë cilësinë e ajrit, i duhet ta luftojë Ballkanin. Është e vështirë të kesh ajër të pastër nëse një vend tjetër të ndot”, ka thënë Vlatka Matkovic Puljic, oficere për shëndet e energji e HEAL-it për rajonin e Ballkanit.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...