Mbi 1600 persona ende të zhdukur, Kosova synon pajtimin me Serbinë [video]

13 Shkurt 2017 - 19:06      

Ende mbi 1600 persona vazhdojnë të jenë në listat e të zhdukurve, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës e që Serbia nuk tregon për vendndodhjen e tyre.

Por, pavarësisht kësaj, kreu i shtetit i ka vënë vetes synim pajtimin me Serbinë.

Tha se armiqësitë janë të pranishme, por Kosova nuk duhet të mbetet peng i së shkuarës.

Hapin e parë e bëri këtë të hënë në përpjekje për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

I pari i shtetit ka thënë se ky komision nuk do të zëvendësojë asnjë mekanizëm të drejtësisë, dhe as nuk do të jetë zëvendësim i dialogut.

Mbështetje iniciativës i dhanë edhe kryeministri e kryeparlamentari, si dhe faktori ndërkombëtar.

“Kosova tashmë ka bërë disa hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të shërimit nga lufta e tmerrshme që ka shkaktuar në gjithë ato familje, që ende kanë shumë dhimbje. Qytetarët me të drejtë ndihen krenarë me hapat që Qeveria ka ndërmarrë në rrugën e pajtimit.. Duhet të bëhet më shumë me viktimat.. SHBA-ja do të mbesë partneri juaj, përderisa kërkohet drejtësia dhe e vërteta dhe përderisa punoni së bashku për pajtim nga e kaluara e dhimbshme, drejt një të ardhmeje me të ndritur të të gjitha komuniteteve kosovare”, ka thënë Greg Delawie, ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Por, pesimist për suksesin e kësaj iniciative është shfaqur ish shefi i OSBE-së në Kosovë.

“Vendi ende vuan nga një ndarje e madhe mes shumicës e pakicës në Kosovë, mes Prishtinës e Beogradit. Unë ende e vërej atë negativitetin. Presidenti bëri një iniciativë të rëndësishme edhe pse shumë ambicioze e me shumë rrezik. Këso lloj komisionesh kemi parë kudo nëpër botë. Jam dëshmitar fizik I tyre e jo gjithmonë këto komisione kanë pasur sukses. Është e mirë që këtu të bëhet një fillim I mbarë në rajonin e Ballkanit. Urrej të them por kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë”, ka thënë Daan Everts, ish-shef i OSBE-së.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e familjarëve të zhdukur të shqiptarëve e serbëve.

Ndryshe presidenti ka thënë se iniciativa e tij për krijimin e komisionit për pajtim ka ardhur pas konsultave me liderët e pajtimit në mbarë botën.


Mbi 1600 persona ende të zhdukur, Kosova synon... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...