Ndahet nga jeta gazetari Faik Mustafa

13 Shkurt 2017 - 18:51      

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare gazetari Faik Mustafa nga Tetova.

Në nderim të tij nesër (e martë), në orën 13:00, do të mbahet një mbledhje komemorative në Qendrën Kulturore në Tetovë. Varrimi i të ndjerit, Faik Mustafa, do të bëhet po të martën, në varrezat e qytetit në Tetovë.

Gazetari i ndjerë, Faik Mustafa, u lind më 19 maj 1945 në Tetovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet në Fakultetin Filologjik - Dega e Albanologjisë, në fillim në Beograd, kurse më vonë i kreu në Prishtinë. Kjo zvarritje ka ndodhur, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, për çka detyrohet që një vit të studiojë e një vit të punojë.

Filloi punën si mësues në vitin shkollor 1964-1965 në fshatin Grupçin të Tetovës, për të vazhduar një vit më vonë /1966-1967/ në fshatin Shipkovicë dhe në fshatin Sellcë /1968-1969/.

Ishte në mesin e organizatorëve të demonstratave të Tetovës, më 22-23 dhjetor të vitit 1968 dhe si ideator i tyre, bashkë me një grup patriotësh tetovarë, në krye me Mehmetriza Gegën, burgoset dhe dënohet me 5 vjet e gjysmë heqje lirie.

Pas lirimit, vazhdoi me studimet në Prishtinë, ku punoi gazetar në gazetën studentore “Bota e Re”, prej nga u largua nga puna nga regjimi komunist, për shkak të dënimit të mëhershëm me burg, për aktivitetin e tij politik kundër këtij regjimi. Më vonë punësohet në gazetën e përditshme “Rilindja”, prej nga largohet për një kohë të shkurtër.

Gjatë viteve 1994-1998 punoi korrespondent i “Zërit të Amerikës”. Pastaj, emërohet nga PDSH-ja kryeredaktor i të përditshmes “Flaka” të Shkupit, ndërsa u pensionua si drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë.

Gjatë veprimtarisë së tij gazetareske, ka botuar mbi dhjetë libra me epigrame dhe tregime të shkurtra, ndër to edhe “Vargjet e serta”, “100 vite pa Shqipërinë”, “Burrat e dheut”, “Uria e lakmisë” dhe së fundi, më 2016, përmbledhjen “Rrufetë e brengës”.

Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i Gjimnazit, për të vazhduar bashkëpunimin me shumicën e gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar vjersha për fëmijë, tregime për të rritur, pjesë teatrale, komedi, TV dhe radiokomedi, drama, skeçe, ku disa herë ka fituar edhe shpërblime.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...