Haradinaj: Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si Daçiqi e shefi i tij

12 Shkurt 2017 - 19:05      

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nga Franca, ku po mbahet nga data 5 janar e këtij viti si pasojë e një flet-arresti të lëshuar nga shteti serb, ka polemizuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Kjo pasi ky i fundit, gjatë një deklarate të bërë për mediat ditën e sotme, ka thënë se Haradinaj nuk është arrestuar si politikan por “si kriminel lufte”.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Ivica Daçiq “ka hapur luftë personale me mua që e kam mbrojtur shtëpinë e popullin tim dhe po i harron krimet që i ka kryer vet e shokët e tij edhe në gra e në fëmijë”.

“Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si ai e shefi i tij! Pavarësisht se kam bërë luftë mbrojtëse e në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës, unë i jam përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare, e nuk jam fshehur si ai qindra zyrtarë të tjerë serbë, të cilët bashkë me Daçiqin, i kanë zhdukur dëshmitë e krimeve të kryera në Kosovë”, ka theksuar Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka kërkuar nga Daçiq që të flasë “për krimet e tij e të shokëve të tij” e të mos kujtoj që “i shlyen krimet e veta duke shpifur ndaj meje”.

“Unë kurrë nuk jam shqetësuar kur më janë vërsulur kriminelë të tipit të tij, as në 98-99 e as sot! Ai duhet të shqetësohet për krimet e veta, sepse unë kam dalë i pastër si loti! Hala nuk është vonë që drejtësia ndërkombëtare ta shohë e ta gjykojë jetën kriminale të Ivica Daçiqit dhe jo vetëm”, ka përfunduar Haradinaj. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...