Rama pret delegacionin kosovar, vlerëson maturinë ndaj situatës me Serbinë

12 Shkurt 2017 - 16:54      

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Luan Rama së bashku me deputeten e kësaj partie Kejdi Mehmetaj, priti në takim Kryetarin e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme të Kosovës, Elmi Reçica dhe delegacionin që e shoqëronte atë në këtë vizite.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Rama u shpreh se këto takime hapin një dimension tjetër jo vetëm për bashkëpunimin midis institucioneve, parlamenteve dhe grupeve tona parlamentare, por ndikojnë dhe cilësinë e produktit që sjell bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Ai theksoi se e ka ndjekur me shqetësim situatën e fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet e tendosura me Serbinë, ndërsa evidentoi maturinë politike dhe qetësinë me të cilat janë menaxhuar këto situata nga institucionet kosovare.

Luan Rama nënvizoi gjithashtu se pavarësisht faktit që përfaqësojmë dy parlamente të dy shteteve, ne asnjë herë nuk duhet të harrojmë se jemi deputete të të njëjtit komb dhe mbi çdo gjë kemi të përbashkët historinë, gjuhen dhe flamurin kombëtar, ndaj të cilëve detyrimet janë të njëjta e të përbashkëta.

“Vendosmëria për ta prishur murin në Mitrovicë nuk është thjeshtë çështje e një veprimi fizik, por domethënie shumë e madhe e vendosmërisë për të dëshmuar forcën e legjitimitetit dhe të autoritetit të institucioneve të Kosovës në të gjithë hapësirën e shtetit të Kosovës”, tha Luan Rama.

Gjithashtu, kryetari i GP të LSI-së tha se kemi shumë hapësira për të ushtruar së bashku jo thjesht diplomacinë parlamentare, por bashkëveprimin ndërparlamentar midis nesh. Rama nënvizoi nevojën për të konkretizuar bashkëpunimin edhe në nivele komisionesh parlamentare, duke bërë një agjendë veprimi të përbashkët.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, pasi e falënderoi Ramën për pritjen e ngrohtë, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për Kosovën për situatën e tensionuar të krijuar së fundmi në Kosovë.

“E dimë qe e keni ndjekur me vëmendje, edhe si parti politike edhe si grup parlamentar, por edhe kryetari i partisë suaj që është edhe Kryetar i Kuvendit. Mbështetja dhe bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm”, theksoi Reçica.

Ne fund, delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme të Kosovës dhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vlerësuan se ndalimi i papërligjur i Haradinaj është një përpjekje e djallëzuar për të goditur përmes Ramush Haradinajt luftën e lavdishme të UÇK-së dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, prandaj lirimi i tij i menjëhershëm dhe kthimi në Kosovë janë e vetmja zgjidhje.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...