12 Shkurt 2017 - 16:02
“Por, më shumë se me këdo tjetër, jam i mllefosur me përfaqësuesit politikë të Kosovës, me njerëzit që lirinë e lëvizjes së njerëzve tanë po e mbajnë peng të kauzave dhe lojërave të ulëta politike. Që nga dita e parë e punës, Qeveria ka bërë çdo gjë të mundshme që të hiqet regjimi i vizave, duke përmbushur çdo kriter, më së shumti në rajon, duke marrë si rezultat rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Mustafa, në profilin e tij në Facebook.
Mustafa ka shprehur bindjen se Kosova “ka përmbushur edhe kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi dhënë prova të qarta se këtë luftë do ta vazhdojmë me çdo mjet dhe në çdo ditë të punës sonë. Rezultatet në këtë drejtim po shihen dita e ditës”.
“Krejt çfarë mbetet është që deputetët ta votojnë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila është arritur nga komisioni shtetëror, është konfirmuar nga State Departamenti, nga komisioni tre anëtarësh ndërkombëtar dhe ekspertët vendorë. Për këtë qëllim, kemi krijuar edhe një komision ekspertësh që po e mat territorin e Kosovës”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Andaj, si qytetarë, si përfaqësues politik dhe në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, i bëj apel 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin përgjegjësinë që ua kanë dhënë qytetarët e Kosovës, t’i lenë anash inatet dhe synimet personale politike e t’i hapin udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka shtuar më pas.
Kryeministri Mustafa ka thënë se “është në ndërgjegjen e përfaqësuesve të zgjedhur të këtij vendi që të mos i marrin në qafë të rinjtë, studentët, artistët, shoqërinë civile, njerëzit që kanë nevojë për tretman shëndetësore që s’mund ta gjejnë në Kosovë, familjarët e diasporës tonë, të cilët kanë nevojë të lëvizin duke respektuar në plotni kriteret e BE-së për lëvizjen e lirë”.
“Çdo pasojë si rezultat i regjimit të vizave, tash e tutje është në ndërgjegjen e atyre që e sabotojnë dhe e uzurpojnë këtë të drejtë të qytetarëve. Si përfundim, nuk do të isha aspak kundër që, siç paska propozuar një gazetar kosovar, Brukseli ta bllokojë udhëtimin e përfaqësuesve politikë të Kosovës në BE, duke ua dhënë një të drejtë të tillë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Kujtojmë se një ide të tillë e ka dhënë producenti i lartë i KTV-së, njëherësh autor i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, i cili, përmes një statusi në Facebook, shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me refuzimin e vizave për Maliqin e Bilibanin.
“Jam i shokuar dhe i pikëlluar nga fakti që dy individëve të dalluar të shoqërisë në Kosovë, Eroll Bilibanit dhe Agon Maliqit, nuk iu kanë dhënë vizat Schengen për të udhëtuar në Gjermani, gjegjësisht Poloni, ku ata ishin të ftuar në kapacitete profesionale. Bunkerzimi i Kosovës ka një adresë. Kësaj radhe ajo adresë më pak është në shtete si Gjermania dhe Polonia, por është në Prishtinë”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, janë dy kushte të qarta nga Komisioni Evropian që kanë mbetur për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave - janë demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit, “sado të padrejta që mund të na duken”.
Ai thotë se ka individë me emër e mbiemër në Kosovë të cilët duhet t’u japin zgjidhje këtyre kushteve.
“Ata janë 120 deputetët e Kuvendit dhe rreth 200-300 individë në qeverinë dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë. Bllokimi i liberalizimit të vizave nga Brukseli është vendim radikal, për të na dënuar kolektivisht si qytetarë të Kosovës. Unë besoj thellësisht se ky dënim është i gabueshëm, thellësisht jofer dhe jonjerëzor. Sinqerisht, besoj se efektin shumë më të madh do ta arrinte Brukseli nëse do ta merrte një masë alternative bllokuese si synim presioni për t'i plotësuar dy kushtet për Kosovën”, thekson më tej Kelmendi.
Ai propozon që Brukseli të bllokojë udhëtimin e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe të zyrtarëve tjerë qeveritarë.
“Brukseli duhet t'ua bllokojë udhëtimin 120 deputetëve të Kuvendit dhe atyre 200-300 individëve në qeveri e institucione të drejtësisë, meqë të njëjtit nuk e ndajnë fare hallin e njëjtë të izolimit me bashkëqytetarët e tyre sepse shumica kanë edhe pasaporta të shteteve të tjera. Kështu që këtyre 300-400 individëve, mospuna e të cilëve ka bllokuar liberalizimin e vizave, as që iu bëhet dert se a janë të izoluar kosovarët, derisa ata udhëtojnë lirshëm, në shumicën e rasteve duke shfrytëzuar edhe vetë paratë e taksapaguesve të cilët i kanë getoizuar”, ka potencuar Kelmendi.
“Nëse edhe ju vlerësoni se Brukseli duhet t'ua bllokojë udhëtimin deputetëve, qeveritarëve e gjyqtarëve, shpërndajeni sa më shumë këtë postim, ose postime të ngjashme me hashtag #IzolimPushtetarëveLiberalizimQytetarëve. Qytetarët s'kanë pse ta vuajnë dështimin e pushtetarëve”, ka theksuar ai në fund!
Kujtojmë se opozita dhe një pjesë e deputetëve të shumicës në Kuvend refuzojnë ta votojnë mënyrën se si Kosova ka demarkuar kufirin me Malin e Zi, duke e cilësuar atë si gabim që i humb vendit rreth 8 mijë hektarë tokë. Mazhoranca ka pranuar se nuk i ka votat për ta miratuar marrëveshjen e kufirit mes dy shteteve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...