12 Shkurt 2017 - 18:20
Sigurisht, dikush mund të mos pajtohet me këtë listë, dhe shumëkush – përfshirë ne – do të thoshte se lista është shumë-shumë më e gjatë se kaq. Por, ky është një vështrim yni, në të cilin jemi kufizuar në 9 fajtorë për 9 vjet të çuar kryesisht dëm.
Fatmir Sejdiu: Fajtori i harruar,
Fatmir Sejdiu është njeriu që ia dha mundësinë PDK-së të ngrihej në pushtet dhe që të qeveriste për këta nëntë vjet. Nën drejtimin e tij, LDK-ja u nda dhe humbi primatin për herë të parë në histori të saj.
Kjo ndodhi më pak se një vit pas vdekjes së liderit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova, meqë lufta për të zënë karrigen e boshatisur në krye të partisë rezultoi me Sejdiun kryetar pas një Kuvendi të tensionuar partiak, që u mbyll me përplasje të dhunshme me karrige dhe braktisjen e LDK-së nga një pjesë e saj, nën udhëheqjen e Nexhat Dacit.
Sidoqoftë, Sejdiu e mori kryesimin e partisë së Rugovës, dhe shumë shpejt, në zgjedhjet e vitit 2007, u mposht nga PDK-ja. Por, mbetja në pushtet dhe ruajtja e pozitës së presidentit të vendit, ishte motiv i mjaftueshëm për Sejdiun të hynte në koalicion me rivalin (e për disa edhe armikun) më të madh të LDK-së – PDK-në dhe Thaçin.
Ky koalicion vuri bazat e një abuzimi me pushtetin, qoftë duke politizuar skajshëm administratën, qoftë duke thelluar korrupsionin e keqqeverisjen. Sejdiu po ashtu nuk dha shembullin e një presidenti që përfaqëson unitetin e popullit. Ai njëkohshëm drejtoi edhe LDK-në, gjë për të cilën Gjykata Kushtetuese e gjeti në shkelje, zhvillim ky që e çoi në dorëheqje. Ai krijoi edhe një precedent të rrezikshëm për vendin – tërhoqi ministrat nga Qeveria e drejtuar nga Thaçi, sapo Kushtetuesja dha verdiktin ndëshkues për të. Dha dorëheqje nga posti i kryetarit për t'i ruajtur beneficionet sipas Ligjit për presidentin.
Pas largimit të detyruar nga Presidenca, Sejdiu e humbi edhe luftën në parti (më 2010), ku fronin ia mori Isa Mustafa.
LDK-ja mbeti në opozitë, ndërsa Fatmir Sejdiu u “leçit” nga kreu i partisë së tij, dhe u reduktua në një “kryetar nderi”, që askush nuk e nderon. Përpjekjet e tij për të faktorizuar veten vazhduan, por kot. Ai mbetet i harruar sot, edhe pse ishte një prej shtyllave kryesore që më 2008 e bënë Kosovën kështu si është sot: vend me një pushtet të korruptuar e të kriminalizuar dhe skenë politike të tensionuar deri në armiqësi!
Lexo në numrin e sotëm të Kohës Ditore edhe për 8 fajtorët e tjerë: Hashim Thaçi: Kryefajtori, Atifete Jahjaga: 5 vjet në zarf, Isa Mustafa: Paterica e Hashimit, Albin Kurti: Ideologu i gazit, Kadri Veseli: Në hijen e SHIK-ut, Behgjet Pacolli: Biznesi + politika = afera e skandale, Edita Tahiri: “Zonja Fjollë”*, Ramush Haradinaj: Kryeministri i opozitës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...