Foto: KOHA

Kadri Veseli: Në hijen e SHIK-ut

12 Shkurt 2017 - 16:50      

“E diela me Koha Ditore” në këtë numër, në vend të intervistës së javës, ka bërë një këndvështrim redaksional për ata që mund t’i identifikohen si fajtorët kryesorë pse këta nëntë vjet të Pavarësisë nuk prodhuan një Kosovë ndryshe.

Sigurisht, dikush mund të mos pajtohet me këtë listë, dhe shumëkush – përfshirë ne – do të thoshte se lista është shumë-shumë më e gjatë se kaq. Por, ky është një vështrim yni, në të cilin jemi kufizuar në 9 fajtorë për 9 vjet të çuar kryesisht dëm.

Kadri Veseli: Në hijen e SHIK-ut,

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, ka pak kohë që nga nëntoka iu fut zyrtarisht politikës.

Për veprimtarinë e SHIK-ut, qytetarët e Kosovës kanë ditur shumë pak. Emri i këtij shërbimi, që më shumë se Kosovës besohet t’i ketë shërbyer Partisë Demokratike të Kosovës, është folur shumë vetëm pasi në publik doli Nazim Bllaca. I vetëquajturi agjent i SHIK-ut doli dhe tha se në emër të këtij shërbimi ka kryer vrasje, plagosje dhe rrëmbime.

Për më tepër, SHIK-u është akuzuar për vrasje politike nga partitë e tjera, posaçërisht nga LDK-ja, disa prej deputetëve të së cilës edhe më tej insistojnë në ato akuza.

Sidoqoftë, edhe pse zyrtarisht SHIK-u është thënë se e ka shuar veprimtarinë e vet në qershor të vitit 2008, hija e bëmave të këtij shërbimi, të cilat (nuk) dihen ende, rëndon jo vetëm mbi Kadri Veselin, por edhe mbi pozitat që ai sot mban: kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Sidomos meqë në Kuvendin e Kosovës në vazhdimësi ka pasur kërkesa për hetim parlamentar të veprimtarisë së SHIK-ut, të cilat janë bllokuar nga deputetët e PDK-së, prej të cilëve thuhet se një numër jo i vogël kanë qenë anëtarë të kësaj organizate.

Vetë Kadri Veseli zyrtarisht u fut në politikë para më pak se pesë vjetësh – në nëntor 2012, kur në një ceremoni të rastit në lagjen “Bair” të Mitrovicës mori librezën e PDK-së. Dhe vetëm një muaj më vonë u bë nënkryetar i partisë, ndërsa në pranverën e vitit 2016, kur kryetari i PDK-së, Thaçi, ndërroi kolltukun partiak me atë presidencial, Veseli i pakontestuar mori komandën e partisë që ende figuron si më e madhja në vend.

Lexo në numrin e sotëm të Kohës Ditore edhe për 8 fajtorët e tjerë: Hashim Thaçi: Kryefajtori, Atifete Jahjaga: 5 vjet në zarf, Isa Mustafa: Paterica e Hashimit, Albin Kurti: Ideologu i gazit, Behgjet Pacolli: Biznesi + politika = afera e skandale, Edita Tahiri: “Zonja Fjollë”*, Fatmir Sejdiu: Fajtori i harruar, Ramush Haradinaj: Kryeministri i opozitës. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...