12 Shkurt 2017 - 15:35
Sigurisht, dikush mund të mos pajtohet me këtë listë, dhe shumëkush – përfshirë ne – do të thoshte se lista është shumë-shumë më e gjatë se kaq. Por, ky është një vështrim yni, në të cilin jemi kufizuar në 9 fajtorë për 9 vjet të çuar kryesisht dëm.
Atifete Jahjaga: 5 vjet në zarf,
Ish-presidentja Atifete Jahjaga e çoi në fund një mandat, që e kishte marrë për të ushtruar vetëm për 18 muaj në bazë të një marrëveshjeje kundërkushtetuese. Duke qenë në krye të shtetit, ajo e bëri rrugëtimin me autoritet të lënduar brenda Kosovës. Nuk ia lënduan vetëm gafat e përditshme, por edhe mungesa e fuqisë politike, ani pse Jahjaga është gruaja e parë e zgjedhur presidente jo vetëm në Kosovë, por edhe Ballkan.
Një marrëveshje politike mes LDK-së, PDK-së dhe AKR-së në vitin 2011 kishte sjellë në krye të Presidencës ish-policen Jahjaga. Emri i saj, i panjohur për publikun, kishte dalë nga zarfi i ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Duke mos qenë pjesë e asnjë subjekti politik, Jahjaga konsiderohej e paanshme dhe figurë e cila mund të sjellë unitet në skenën e brishtë politike.
Por, gjatë pesë vjetëve në krye të shtetit edhe pse i ishte dhënë rasti të dalë nga kornizat e “zarfit”, ajo nuk e bëri këtë. Shansi i artë iu dha gjatë ngërçit politik pas zgjedhjeve të vitit 2014. Derisa shteti ishte në bllokadë, për shkak se partitë nuk po arrinin të merreshin vesh për koalicion, Jahjaga mbeti autoriteti i vetëm legjitim që t’i jepte drejtim të duhur shtetit. Por, ajo shfaqi pasiguri, duke mos u sjellë karshi kompetencave kushtetuese. Pas krijimit të bllokut opozitar dhe dilemave se kush ka të drejtën e formimit të Qeverisë, Jahjaga iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me 12 pyetjet se si duhet të sillet si presidente.
Jahjagës i faturohen edhe ngecje tjera gjatë ushtrimit të detyrës si shefe e shtetit. Gjurmë nuk ka lënë as në reformat politike, derisa iniciativat për krijimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsion dhe Këshillit për Integrime Evropiane nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret. Plusi i vetëm i Jahjagës mund të konsiderohet përfaqësimi jashtë vendit. Derisa liderëve tjerë Evropa ua mbylli dyert pas publikimit të raportit të Dick Martyt, ku ish-drejtues të lartë të UÇK-së akuzohen për krime lufte, Jahjaga ishte e vetmja që ftohej në takime bilaterale me liderët botërorë.
Një pjesë të madhe të energjisë, sidomos muaj e fundit të mandatit, Jahjaga e çoi duke avokuar për rëndësinë e fuqizimit të grave, vullnet ky që u dëshmua me krijimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Lexo në numrin e sotëm të Kohës Ditore edhe për 8 fajtorët e tjerë: Hashim Thaçi: Kryefajtori, Isa Mustafa: Paterica e Hashimit, Albin Kurti: Ideologu i gazit, Kadri Veseli: Në hijen e SHIK-ut, Behgjet Pacolli: Biznesi + politika = afera e skandale, Edita Tahiri: “Zonja Fjollë”*, Fatmir Sejdiu: Fajtori i harruar, Ramush Haradinaj: Kryeministri i opozitës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...