12 Shkurt 2017 - 15:17
Sigurisht, dikush mund të mos pajtohet me këtë listë, dhe shumëkush – përfshirë ne – do të thoshte se lista është shumë-shumë më e gjatë se kaq. Por, ky është një vështrim yni, në të cilin jemi kufizuar në 9 fajtorë për 9 vjet të çuar kryesisht dëm.
Hashim Thaçi: Kryefajtori,
Hashim Thaçi është kryefajtori. Jo pse aktualisht është në krye të shtetit, porse gjatë këtyre nëntë vjetëve ai ka qenë faktori numër një i politikës kosovare, duke u dhënë kah zhvillimeve në vend.
Vetëm pak muaj para se të shpallej Pavarësia, është zgjedhur kryeministër i vendit, pasi pati fituar zgjedhjet nacionale në Kosovë, duke e drejtuar PDK-në. Drejtoi Qeverinë edhe në mandatin pasues, pas zgjedhjeve që edhe të huajt i cilësuan si skajshmërisht të manipuluara dhe me vjedhje votash në “shkallë industriale”.
Në mandatin aktual qeverisës PDK-LDK mbajti postin e zëvendëskryeministrit dhe të atij të ministrit të Punëve të Jashtme, por vetëm përkohësisht, derisa të vinte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, post në të cilin u vu në fillim të vitit të shkuar, i përcjellë me protesta e gaz lotsjellës.
Tani është president me autoritet të kontestueshëm gjerësisht brenda vendit dhe mbi të cilin mbeten të pazbardhura një mal akuzash që mbajnë vulën e Këshillit të Evropës, dhe të cilat u bënë sebep për krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Gjatë kohës sa ai ka qeverisur, në aspektin diplomatik janë mbërritur rreth 100 njohje, janë bërë disa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe kanë marrë start disa projekte kapitale, për çka Thaçi vazhdimisht ia përshkruan meritat vetes së tij. Por, refuzon t’i marrë “meritat” aty ku ka dështime, prej të cilave shumica janë pasojë e drejtpërdrejtë nga mënyra e tij e qeverisjes dhe të bërit politikë – me manipulime dhe sajesa.
Kështu, politikat e drejtuara nga ai kanë bërë që kosovarët të mbeten të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen (premtim ky të cilin ai vetë e pati dhënë para shtatë vjetësh dhe me të cilin ka manipuluar në vazhdimësi) e vendi të jetë i fundit për në procesin e integrimeve evropiane. Dhe jo vetëm kaq. Këto politika Kosovën e kanë futur mes vendeve me mjerimin më të madh, ndërsa nuk kanë pasur ndonjë ndikim në zbutjen e varfërisë dhe në uljen e papunësisë. Po ashtu kanë prodhuar një sistem arsimi ndër më të dobëtit në botë, e edhe një sistem shëndetësor të “sëmurë”, drejtësi selektive e të korruptuar dhe administratë joefikase e partiake.
Lexo në numrin e sotëm të Kohës Ditore edhe për 8 fajtorët e tjerë: Atifete Jahjaga: 5 vjet në zarf, Isa Mustafa: Paterica e Hashimit, Albin Kurti: Ideologu i gazit, Kadri Veseli: Në hijen e SHIK-ut, Behgjet Pacolli: Biznesi + politika = afera e skandale, Edita Tahiri: “Zonja Fjollë”*, Fatmir Sejdiu: Fajtori i harruar, Ramush Haradinaj: Kryeministri i opozitës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...