Foto: Koha / arkiv

Thaçi e Mustafa vitin e kaluar paralajmëruan se demarkacioni do të jetë kusht për Ushtrinë

11 Shkurt 2017 - 15:32      

“Kosova është shembull i asaj çfarë ndodh kur bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga Amerika, angazhohet për mbrojtjen e interesave dhe vlerave të veta. Në përgjithësi, do të rekomandoja pakësime në përputhje me situatën e sigurisë në terren, por e kuptoj që, tani për tani, Forca mbetet kritike për sigurimin e stabilitetit të rajonit. Përveç kësaj, para se të pakësohet prania ushtarake e SHBA-së, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta marrin një mandat për ta kryer sigurinë e brendshme dhe mbrojtjen territoriale, një ndërrim që do të kërkojë ndryshim kushtetues me mbështetje të parlamentit”.

Ka qenë kjo deklaratë e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, e bërë më 12 janar 2017 para Komitetit të Senatit të SHBA-së, që ka shtuar zërat në vend për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Dje gjatë ditës, ministri i FSK-së, Haki Demolli, në një bisedë me Koha.net, ka bërë të ditur se ekzistojnë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, apo edhe përmes ndryshim-plotësimit të Ligjit për FSK-në.

Por, siç shprehet ministri, të gjithë hapat do të bëhen në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

I pyetur nga koha.net për opsionet që ekzistojnë në këtë drejtim, Demolli ka thënë se në bazë të koordinimeve të deritanishme me kryeministrin dhe Qeverinë, Ministria e FSK-së i ka bërë të gjitha përgatitjet, prandaj FSK është e gatshme në të gjitha aspektet për transformim, për marrjen e kompetencave të plota ushtarake, si dhe për të kryer të gjitha funksionet në fushën e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sa i takon mundësisë që FSK-ja të transformohet përmes ndryshimeve kushtetuese, ministri Demolli, tha se ekzistojnë të gjitha përgatitjet mbi bazën e akteve normative, por që ende mungon vullneti i përfaqësuesve të komunitetit serb.

“Kemi përgatitur ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin një proces të tillë dhe po ashtu Ligjin i cili do të bënte transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) përmes ndryshimeve kushtetuese. Por, për një gjë të tillë kërkohen 2/3 e dyfishta në Kuvend. Ndërkaq, deri më tani, ne kemi zhvilluar dhjetëra biseda, por ende mungon vullneti te përfaqësuesit e komunitetit serb”, bëri të ditur ministri i FSK-së.

Sa i përket mundësisë së transformimit përmes ndryshimeve ligjore, ministri Demolli tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për një opsion të tillë.

“I kemi gati edhe Plotësim Ndryshimet e Ligjit për FSK-në, i cili do t’i jepte FSK-së të gjitha kompetencat e Forcë së Armatosur, por që do të mbetej me të njëjtin emër, ndërkaq ajo do të kishte të gjitha kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës”, tha ministri Haki Demolli.

“FSK është ndërtuar mbi bazën e një mbështetje, bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n dhe partnerët strategjikë dhe ne do të angazhohemi që edhe transformimi i saj të bëhet në bashkërenditje me këta partnerë, duke i ndjekur procedurat në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Po dje gjatë ditës, edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, që njëherësh është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se themelimi i Ushtrisë së Kosovës do të varet nga demarkacioni i kufijve të Kosovës, raporton Koha.net.

Ai në televizionin publik tha se “ky kusht u është përmendur zyrtarëve të shtetit të Kosovës nga BE-ja”.

Sipas tij, NATO nuk dëshiron që një shtet mos ta ketë të definuar kufirin me fqinjët.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar deputetë opozitarë, por edhe nga opozita, duke thënë se kjo deklaratë nuk qëndron.

Por, nëse kthehemi në kohë pak muaj më parë, mund të gjejmë deklarata të tilla edhe nga krerët shtetërorë, nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e deri tek kryeministri Isa Mustafa.

Më 13 korrik të vitit të kaluar, kryeministri Mustafa, në një deklaratë për televizionin publik pati thënë se demarkacioni me Malin e Zi është interes shtetëror dhe në interes të shtetit, prandaj sipas tij duhet ikur nga kauzat partiak dhe vetjake.

“Ne nuk e japim asnjë metër katror të Kosovës për asnjë çmim, as për viza as për asgjë. Jam i bindur se komisioni e ka bërë punën e vet mirë dhe nuk ka dyshime. Po të kishte bërë punën keq atëherë secili duhet ta dijë se kjo ka pasoja penale, pra është krim dhe dikush duhet të përgjigjet për atë vepër”, pati thënë Mustafa.

Kryeministri për herë të parë e pati përmendur në këtë deklaratë demarkacionin si kusht për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja nuk dëshirojnë të themelojnë ushtri në një vend që ka probleme kufitare me një shtet fqinjë.

Ngjashëm, rreth 1 muaj e gjysmë më vonë, më 31 gusht, një ditë para se në seancën e Kuvendit të zhvillohej votimi për demarkacionin me Malin e Zi, i cili pati dështuar, presidenti Thaçi, në një intervistë për rrokum tv, pati thënë se pret që kjo çështje të kalojë pasi që, sipas tij, është e lidhur jo vetëm me liberalizim vizash, por edhe me FAK-un.

“Me kalimin e Demarkacionit, do të ndodhë perspektiva për liberalizim të vizave dhe gjithashtu do të kalojë themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë më tej presidenti Thaçi.

Por, analistë të çështjeve politike, asokohe patën thënë se këto deklarata po bëhen “sa për t’i hedhur hi syve opinionit publik”, ndërsa theksonin se kryeministri dhe presidenti, fatkeqësisht, e kanë lidhur fatin e tyre politik me demarkacionin. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...