Tirana, 97 vite kryeqytet [foto]

10 Shkurt 2017 - 12:57      

Tiranë, 10 shkurt - Më 11 shkurt përkujtohet 88 vjetori i shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja që iu bë asaj nga populli tiranas.

Për herë të parë emri Tiranë përmendet në vitin 1418 në një dokument venedikas për t’u kujtuar në shekullin e 15-të nga historiani dhe shkrimtari i madh Marin Barleti. Si datë e themelimit të Tiranës si qytet në zemër të Shqipërisë merret viti 1614, kur me kujdesin e tiranaSulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit, me një xhami, një banjë (hamam), një furrë dhe disa dyqane.

Tirana ndodhet në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin , dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin. Tirana për gati dy shekuj qëndroi nën degën e familjes Toptani nga Kruja. Që nga mesi i shekullit XVII Tirana nisi të zhvillohej dhe në të u ndërtua një pazar i pajisur me zejtari të ndryshme, etj.

Po aq të lashta sa edhe vetë qyteti janë edhe dy lagjet , ajo e Mujos dhe e Pazarit, që ndodhen në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit. Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et’hem Beut , në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX mbi lumin Lanë u ndërtuan dy ura, tirana5ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë, megjithëse të pakta, konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të permendim këtu kroin e Banes, çezma e Kroit të Shëngjinit, etj.
Më 11 shkurt te vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke shpallur zyrtarisht edhe shpalljen e saj, si kryeqytet i vendit.

Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja qe iu bë asaj nga populli tiranas. Atë ditë në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.

Kjo ngjarje luajti rol vendimtar në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit. Tirana sot ka ndryshuar krejtësisht pamjen,ajo nuk është më Tirana e dikurshme, por një qendër e madhe politike, ekonomike, kulturore.
Kur Tirana u shpall kryeqytet numri i popullsisë së saj arrinte ne rreth 15 mije tirana2banorë . Drejtori i parë i shkollës së njësuar shqipe në qytetin e Tiranës është patrioti Jorgji Pano (Mësues i Merituar). Tirana sot është qyteti dhe qendra kryesore politike, administrative, ku ndodhen organet më të larta ligjvënëse, ekzekutive, gjyqësore, të prokurorisë, si dhe e institucioneve kulturore dhe shkencore.

Historiani i njohur prof. dr. Kristo Frashëri , ka treguar në një rrëfim të veçantë që nis me historinë dhe përjetimin e tij personal si u bë Tirana kryeqytet.

“Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927. Në atë kohë, Tirana kishte vetëm puse, ujësjellës nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin ‘Tironë’, që ‘po pive 40 kova ujë je bërë tiranas’. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndiej veten tiranas. E bëj këtë për të thënë se e ndiej veten krenar që jam tiranas dhe ia kushtoj këtë dashuri punës që bëra për historinë e Tiranës. Tirana ka qenë një qytet i qetë, qytet i dashur me njerëzit që e vizitonin, qytet i thjeshtë, qytet me një sistem urbanistik të krijuar nga shekujt dhe pikërisht te ky sistem urbanistik i Tiranës unë mora fillin sesi është origjina e qytetit.

Tirana nuk është nga ato qytete që krijohen nga pozitat strategjike, apo nga ato qytete që krijohen nga pozita e trafikut, ekonomike. Tirana nuk është si gjithë ato qytete që i kanë krijuar njerëz të shquar, Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante. Tirana bregdetare është kryqëzim rrugësh nga Dalmacia, nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në Lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje. Kjo ishte rruga veriore, ishin dy rrugë të tjera pastaj horizontale, njëra nisej nga Durrësi, bregdeti, qyteti bregdetar, vinte në Tiranë dhe kalonte në rrugën e “Shën Gjergjit” e lidhte Malësinë me detin. Qe një rrugë tjetër që nisej nga Kavaja, që ishte një qytet tregtar, po aq i lulëzuar sa edhe Durrësi e vinte nga Kavaja e shkonte nëpër Ndroq, tek Urë e Beshirit në Tiranë e hynte në Rrugën e Dibrës e në Qafën e Tujanit, Qafë të Murizës, në Mat, në Dibër, në Maqedoni. Po t’i shikosh në hartë këto tre rrugë kryesore, të shikosh ato takohen në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, prandaj Tirana lindi si qytet, kur u gjallërua krahina, treva dhe treva u gjallërua, kur u krijuar stabiliteti.

Më 1912 Tirana ishte qytet, por ishte vetëm nënprefekturë, varej nga Prefektura e Durrësit, e cila kishte 3 mijë banorë, kurse Tirana kishte 12 mijë banorë dhe prapë varej nga një Prefekturë që ishte shumë më e vogël. Kur u bë kryeqytet Tirana, më 1920, Tirana ishte qytet, në kuptimin “ballkanik” të fjalës, ishte qytet sepse nuk merrej me bujqësi, me bujqësi merren fshatrat apo qytezat që janë ende fshatra, merrej me zejtari dhe me tregti, edhe me kopshtari, se kopshtaria ishte pjesë e pandarë e jetës qytetare.

Tirana në Kongresin e Lushnjës nuk ishte nga ato që u vendos menjëherë të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. Problemi ka qenë i tillë që kryeqyteti i Shqipërisë në atë kohë ishte Durrësi dhe ligjërisht ishte Durrësi dhe me statut ishte Durrësi, por Durrësin e kishin pushtuar italianët dhe ushtritë italiane lajmëruan qeverinë që u formua në Lushnjë, “po të afrohen në Lushnjë i pret mitralozi.”

Dhe këta nuk deshën gjakderdhje dhe vendosën ku të venë përkohësisht, si kryeqytet sa të liroheshe Durrësi. U hapën biseda, jo do venë në Shkodër, jo në Krujë, jo në Elbasan, jo në Vlorë, pika të forta kishte Vlora, se Vlora ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë, por Vlora thoshin ishte shumë larg Shqipërisë veriore, shumë larg Kosovës, shumë larg Maqedonisë, thanë Shkodra, por Shkodra ishte shumë afër Malit të Zi, ishte një qytet me shumë banesa, qyteti më i madh i Shqipërisë, por u vendos Tirana. Tirana u vendos, se kur u pyet atje: “Po Tirana ka banesa?” – e pyetën Abdi Toptanin, a ka banesa për zyra, do vejë Kryeministria, do vejë Parlamenti, do vejë qeveria, ministria, legatat, zyra, gjykata, a ka ndërtesa?

Dhe tiranasit u përgjigjën: “Ka dhe po të jetë nevoja ia krijojmë” dhe u vendosën në Tiranë përkohësisht. Tirana i mirëpriti, fotografia e hyrjes së organeve qeveritare shqiptare në Tiranë, ekziston fotografia kur hynë krerët e shtetit dhe u vendosën në Tiranë, u sistemua Tirana dhe kur u lirua Durrësi nga ushtritë, nuk deshën të shkonin më. Këtu qenka mirë, në mes të Shqipërisë, me lidhje gjithandej, me këto rrugë që lidhin rrugët e Tiranës, rrugët e lidhin Tiranën me gjithë viset e Shqipërisë, kështu që Tiranë u bë kryeqytet, megjithëse me statut është vendosur kryeqytet më 1925, sidoqoftë Tirana e meritoi të ishte kryeqytet i Shqipërisë, për historinë e saj të mëvonshme. Ajo, po e mbyll edhe njëherë, kur erdhëm ne më 1927 në Tiranë, Tirana ishte akoma një qytet, siç i thoshin “me baltë”, nuk kishte rrugë të shtruara, nuk kishte ujësjellës, nuk kishte korrent elektrik, por pastaj u zhvillua, eci përpara, u pajis me mjete moderne dhe lulëzoi me hapa, siç po lulëzon sot me hapa të paparë, ndaj në këtë rast unë përshëndes të gjithë banorët e Tiranës që kanë qenë kaq të ngrohtë dhe dashamirës, ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...