Thaçi thotë se Juncker i tha se s’ka viza pa demarkacionin me Malin e Zi

9 Shkurt 2017 - 20:23      

Presidenti Hashim Thaçi, sot është pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka bashkëbiseduar për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“I vetëdijshëm se nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më emergjente për Kosovën dhe qytetarët tanë sesa përfundimi i izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë, fokusi im ishte tek përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë pas takimit presidenti Thaçi, përcjell zyra e tij për informim.

Sipas të njëjtës, nga ana tjetër, presidenti Juncker, i cili është mbështetës i perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka treguar vullnet për ta përmbyllur këtë proces të stërzgjatur. Por, presidenti i Komisionit Evropian, e ka bërë të qartë se do ta ketë të pamundur ta përmbyllë këtë proces nëse Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Presidenti Thaçi ka thënë se për BE-në është e pakuptueshme sesi ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.

“Kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë iu bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake. Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, presidenti Thaçi ka takuar krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, nga të cilët ka marrë mbështetje për perspektiven evropiane të Kosovës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...