9 Shkurt 2017 - 13:08
Mustafa theksoi se situata në veri duhet vështruar si njësi situatën në vendin tonë, transmeton Koha.net.
Ai shtoi se strukturat paralele, përkundër se është fikur e ashtuquajtura Civilina Zashtita, vazhdojnë të veprojnë në këtë pjesë të vendit. Madje, tha ai, struktura paralele ka gjithandej nëpër Kosovë dhe me këtë Serbia po përpiqet të thotë se e ka nën kontroll vendin.
Në vazhdim Msutafa përmendi edhe bisedat që po zhvillohen me Serbinë e në veçanti ato që u zhvilluan në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit ndërmjet krerëve të Kosovës e të Serbisë. Bisedat edhe pse i quajti të vështira, ai i vlerësoi të suksesshme.
Mustafa ia faturoi Qeverisë dhe koalicionit qeveritar ndalimin trenit nacionalist serbe në Rashkë dhe rrënimin e murit në Mitrovicë.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut për t’i zgjidhur të gjitha problemet që Kosova ka që nga përfundimi i luftës.
“Dialogu me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së zhvillohet në interes të Kosovës. Kosova përballet me probleme që nuk zgjidhen ndryshe pos përmes dialogut. Si kryeministër konsideroj se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut”, tha Mustafa në interpelancën që po zhvillohet rreth situatës së krijuar në Mitrovicë.
Sipas kreut të Qeverisë, opozita po kërkon ndaljen e dialogut, vetëm pse është në opozitë, sepse ndryshe do të vepronte po të ishte në pushtet.
“As një nga opozita që kundërshtoni dialogut nuk do ta kundërshtonit po të ishit në pozitë dhe të kishit përgjegjësi”, shtoi me tej Mustafa.
Derisa, ka kërkuar mos përkrahjen e rezolutës së propozuar nga kërkuesi i kësaj interpelance, meqë sipas tij, rezoluta nuk parasheh zgjidhje, pos që shpreh mllefin opozitar.
Kjo është fjala e plotë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa:
Prolongimi i kësaj interpelance mund të them se nuk është çështje e kërkesës time. Ajo çfarë është kërkuar në Kryesi është vetëm të prolongohet për një seancë të Kuvendit, sepse nuk kam qenë këtu dhe unë në asnjë rast nuk kam bërë vërejtje që të mos mbahet interpelanca dhe të mos përgjigjem në këtë interpelancë.
Dëshiroj vetëm të ripërsërisë se veriu i vendit të Kosovës është pjesë e Republikës së Kosovës, se qytetarët e katër komunave në veri, ashtu sikurse edhe qytetarët e gjitha komunave tjera, janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Prandaj, gjendjen në veri të vendit mund ta kuptojmë dhe ta trajtojmë më lehtë dhe pa ngarkesa, kur vetës ia sigurojmë dhe ia sqarojmë se po flasim për territorin tonë dhe po flasim për qytetarët tanë, pa marrë parasysh problemet e trashëguara dhe pa marrë parasysh problemet që sot po lindin.
Problemet në veri të vendit sikurse edhe në çdo pjesë të Republikës Kosovës duhet t’i zgjidhim mbi bazë ligjore me mirëkuptim dhe me komunikim me qytetarët.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë.
Ky është obligim kushtetues për të gjithë ne, ashtu siç është sigurimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.
Qeveria e Kosovës dhe gjitha institucionet e vendit arritën që ta mbrojnë sovranitetin e shtetit, ta ruajnë stabilitetin e brendshëm përballë provokimeve destabilizuese që erdhën nga sjelljet provokuese të Serbisë.
Me sjellje dhe me përgjegjësi shtetërore u ndal treni me parulla provokuese i nisur nga Beogradi. Në marrëveshje me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe me përfaqësuesit serbë nga radhët e deputetëve dhe ministrave në institucionet e Kosovës, si dhe me përkrahjen ndërkombëtare arritëm marrëveshjen për rrënimin e murit ndarës dhe për ndërtimin e një sheshi sipas ligjeve dhe standardeve të përcaktuara.
Po ashtu, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të dëshmuar se fletarresti i lëshuar ndaj kryetarit të AAK-së dhe ish kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, është politik, është joligjor dhe është i pavlefshëm jo vetëm për Kosovën, por duhet të jetë i pavlefshëm edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Në të gjitha rastet, përgjigja jonë ishte institucionale dhe e vendosur në koordinim të plotë me të gjitha institucionet shtetërore, me presidentin e vendit dhe me kryetarin e Kuvendit. Në përballimin e sfidave gjatë kësaj periudhe, ne patëm përkrahjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. U dëshmua se ata kanë besim në institucionet e Republikës së Kosovës.
Këtë të diel, më 5 shkurt e hoqëm murin në Mitrovicë, në dobi të lëvizjes së lirë të qytetarëve, me një angazhim institucional dhe me një proces të brendshëm të bisedimeve mes Qeverisë dhe autoriteteve komunale të pjesës veriore të Mitrovicës.
Tashmë ka filluar realizimi i planit për shëtitoren në rrugën kryesore të qytetit sipas ligjeve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë për herë të parë ndërmjet Komunës së pjesës veriore të Mitrovicës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Janë dy probleme të cilat e ngarkojnë jo situatën në veri të vendit, por edhe në tërë vendin. Është shtrirja akoma e gjerë e strukturave paralele serbe në shumë komuna jo vetëm me shumicë serbe, por formalisht edhe në ato me shumicë shqiptare, në institucione shëndetësore dhe kompani publike dhe është ndikimi i drejtpërdrejt i Qeverisë së Serbisë në deputetët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë nga radhët e Listës Serbe. Prandaj, mendoj se kjo çështje duhet të shtrohet në mënyrë integrale, dhe jo vetëm si çështje e komunave të veriut, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesës veriore të Mitrovicës, por si problem i tendencave që Serbia akoma mundohet të ushtrojë ndikim në Kosovë.
Përfundimisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e plotë të strukturave paralele dhe me ndërprerjen e ndikimit të strukturave të Serbisë tek përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës dhe me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Sa i përket veriut, Qeveria e Kosovës do të vazhdoj angazhimet për të konsoliduar më tej sovranitetin shtetëror në pjesën e veriore të vendit. Gjendja në veri ka ndryshuar pozitivisht, dhe këto ndryshime janë rezultat i drejtpërdrejt i dialogut në Bruksel. Zhvillimet negative kohëve të fundit nuk kanë mundur të zbehin këto rezultate dhe ne nuk kemi lejuar që ajo të ndodh. Me Marrëveshjen për Kufirin, është arritur që autoritetet shtetërore të Kosovës të vendosen në dy pika kufitare në veri, të cilat ishin sulmuar dhe djegur kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Këto pika gjenden aty ku është kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë. Kosova ka arritur të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit në këto fusha: në fushën e sigurisë ku Policia e Kosovës vepron nga viti 2014; në fushën e doganave nga viti 2012; në fushën e administratës tatimore. Kosova ka vendosur të gjitha ministritë dhe agjencitë shtetërore që kanë veprimtari lokale në këtë pjesë të vendit, kemi shuar strukturën ilegale me premisa paramilitare e ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”, ndërsa ish-pjesëtarët e saj janë bërë shërbyes civilë të punësuar në sistemin e Kosovës.
Është implementuar Marrëveshja për Kodin Telefonik dhe shteti i Kosovës ka marrë kodin e vet telefonik +383 i cili ka filluar edhe të implementohet. Është arritur marrëveshja për drejtësi, e cila marrëveshje do të filloj së shpejti të implementohet. Kemi hapur zyrat e regjistrimit civil në komunat veriore për t’i pajisur ata qytetarë me dokumente shtetërore të Kosovës. Kemi shuar strukturat paralele të Serbisë në fushat ku janë arritur marrëveshjet. Integrimi i komunitetit serb të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës është gjithnjë në rritje. Interesimi i tyre për jetë normale dhe prosperuese është fakt që shprehet nga vetë ata. Dialogu i Brukselit ka mundësuar që të hiqen të gjitha barrikadat në veri, të cilat ishin vendosur si reaksion ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe po ashtu është hequr edhe barrikada nga ura e Mitrovicës e cila do të lëshohet së shpejti dhe do të hapet së shpejti qarkullimi automobilistik dhe qarkullimi tjetër ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.
Këto zhvillime pozitive në veri të vendit krijuan mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të qytetarëve dhe komuniteteve. Qeveria e Kosovës vlerëson kontributin e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tejkalimin e tensioneve të krijuara dhe ndaljen e provokimeve destabilizuese nga ana e Serbisë dhe mund t’ju them se dy takimet e fundit në Bruksel, sa kanë qenë të rënda, aq edhe kanë dhënë rezultate në këtë fushë.
Delegacioni jonë e ka bërë të qartë se mbesim të përkushtuar për paqe dhe për fqinjësi të mirë, por gjithnjë në kushte të respektimit të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes në punët e brendshme.
Kosova tani ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian.
Kosova do të vazhdoj forcimin e shtetit përmes zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe komunitetit, integrimit, sigurisë dhe prosperitetit. Ashtu siç e dëshmuam në këtë periudhë, Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet shtetërore kanë zotësinë për të përgjigjur çfarëdo sfide në të cilën ne do të ballafaqohemi. Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, siç është marrëveshja për drejtësi dhe marrëveshjet tjera.
Në këtë rast, dëshiroj të falënderoj veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, dhe vendet tjera për vendosmërinë e tyre që të përkrahin proceset euro integruese të Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Nga të gjitha interpelancat por edhe debatet që u iniciuan në Kuvend, tani kanë një emërues të përbashkët. Ky emërues është ndërprerja e dialogut, kushtëzimi i dialogut, ngrirja e dialogut. Dialogu me Serbinë në mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvillohet në interes të Republikës së Kosovës, sepse Kosova po ballafaqohet me probleme që nga përfundimi i luftës, të cilat nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes përpos dialogut. Me dialog ne nuk po zgjedhim problemet e Serbisë, sepse ne nuk po e cenojmë sovranitetin e Serbisë.
Por është e kundërta.
Si kryeministër i vendit konsideroj se dialogu nuk ka alternativë, konsideroj se politika e dialogut me fqinjët, edhe me Serbinë, është orientim strategjik i Republikës së Kosovës, ashtu siç është orientim i yni strategjik rruga eurointegruese dhe partneriteti i përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E kam thënë publikisht se asnjë nga ju, nga opozita, që sot po e kundërshtoni dialogun nuk do ta kundërshtonit këtë po të ishit në pozitë dhe po t’i kishit përgjegjësitë që ne i kemi.
Ne njihemi dhe nuk harrojmë se si jemi betuar të gjithë ne që jemi këtu pa marrë parasysh në cilën anë jemi sot këtu, se si do ta vazhdojmë dialogun dhe kemi konkurruar dhe kemi bërë gara se kush është ai që do ta marrë dhe ta udhëheq dialogun. Edhe rezoluta si e tillë nuk meriton të përkrahet ndryshe ajo nuk shprehë asnjë interes të Kosovës përveç të një mllefi opozitar ose të një mllefi i cili nganjëherë lind edhe si pasojë e veprimtarive të papërgjegjshme dhe sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë.
Prandaj, do të ishte mirë që energjitë tona që po i shpenzojmë për të bllokuar dialogun, ose për të kundërshtuar bllokimin e dialogut t’i orientojmë pozitivisht në orientimin tonë për zhvillim ekonomik, për zhvillim social, për integrimin e serbëve në të gjitha institucionet e vendit tonë, për krijimin e mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok dhe për rrugën tonë euroatlantike.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...