8 Shkurt 2017 - 18:40
Me atë rast, sipas këtij burimi, Roberts tha se shtetet multietnike janë ideal, por në praktikë shkëmbimi i Luginës së Preshevës në Serbi me territorin e pjesës e Kosovës në veri të Ibrit ndoshta do të ishte e vetmja mënyrë për stabilizimin e marrëdhënieve dhe të sigurohet që Serbia të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Ai ka shfaqur shpresën se kufijtë e Ballkanit, si kudo, do të kthehen më shumë në “simbol të dallimeve” dhe jo të ndasive, por ka shtuar se kjo do të ndodhë vetëm nëse komunitetet e ndryshme nacionale do të ndihen më të sigurta e më stabile në kuadër të entitetit të vet sesa që ishin deri më tash, citon BIRN-in agjencia B92.
I pyetur se çfarë ndikimi do të kishte shkëmbimi i territoreve për pjesën tjetër të rajonit, sidomos për Maqedoninë dhe Bosnjën, Roberts u shpreh se shkëputja e Republika Srpska nga Bosnja do të ishte shumë vështirë e realizueshme duke pasur para sysh ambivalencën e Serbisë kundruall kësaj ideje, si dhe kundërshtimin e fuqishëm me të cilën do të përballej ndër boshnjakët e BeH.
Në pyetjen nëse përkrahja e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës e ka shtyrë Serbinë në krahët e Rusisë, Roberts është përgjigjur se ndikimi në rritje i Rusisë në Ballkan është pasojë e “ringjalljes së Rusisë” që ka ndodhur pavarësisht nga situata në Kosovë.
Ai ka rrëfyer se, në cilësinë e ambasadorit në Beograd në fund të viteve të nëntëdhjeta, më kot ishte përpjekur ta bindte liderin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviqin, ta ndalte politikën e dhunës represive në Kosovë.
Por Roberts ka shtuar se shkaqet e krizës së Kosovës i kanë rrënjët në kohën shumë para Millosheviqit, duke përmendur në këtë kontekst Konferencën e Londrës nga viti 1913, kur u vunë kufijtë në Ballkan pas Luftërave Ballkanike 1912-13, kur gjysma e popullatës shqiptare mbeti jashtë shtetit të Shqipërisë.
Ish ambasadori britanik në Jugosllavinë e atëhershme qysh më 1914 gjatë një interviste i kishte thënë B92 se për paqe do të jetë i nevojshëm shkëmbimi i territoreve, transmeton Koha.net.
Idenë e shkëmbimit të territorit (mes Kosovës e Serbisë) e ka shfaqur edhe kongresisti republikan amerikan Dana Rohrabacher, sipas të cilit duhet të bëhet ridefinimi i kufijve në Ballkan asisoj që “shqiptarët nga Kosova dhe nga Maqedonia duhet të përbëjnë Kosovën, ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë t’i bashkohet Bullgarisë ose ndonjë shteti tjetër për të cilin mendon se ka afërsi” , por Departamenti amerikan i Shtetit është deklaruar në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë.
Edhe Bashkimi Europian është kundër shkëmbimit të territoreve.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur kongresistin amerikan Rohrarbahher “të afërt me shqiptarët”.
Idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë ditë më parë e riaktualizoi akademiku Rexhep Qosja, që të Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e Serbisë t’i jepet veriu i Kosovës. Ai këtë ide e mbron tash e disa dekada, si një zgjidhje që i rehaton të dy palët.
Kundër këmbimit të territoreve Kosovë – Serbi mbrëmë në KTV, në emisionin “Rubikon”, është shprehur kryeministri i vendit Isa Mustafa.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...