Foto: Getty Images

Dokumentet e ISIS-it zbulojnë refuzimin e dy kosovarëve për t’iu bashkuar luftës

7 Shkurt 2017 - 09:48      

Disa dokumente të gjetura nga forcat irakiane pasi morën bazën e Shtetit Islamik në një lagje të Mosulit muajin e kaluar, kanë zbuluar shenja të rebelimit në radhët e tij nga luftëtarët e huaj.

Një militant belg kishte paraqitur një shënim mjekësor duke thënë se kishte dhembje shpine dhe nuk do t’i bashkohej betejës. Një luftëtar nga Franca thoshte se dëshironte të largohej nga Iraku për të kryer sulm vetëvrasës në vendlindje. Disa të tjerë kishin kërkuar transferim në Siri. E të tjerët thjeshtë kishin refuzuar të luftonin.

Ky dokument paraqiste 14 luftëtarët “problematik” nga batalioni Tariq Bin Ziyad.

Në mesin e këtyre luftëtarëve të huaj që refuzonin të luftonin për Shtetin Islamik ishin edhe dy shtetas të Kosovës.

Siç shkruan “The Washington Post”, që pretendon t’i ketë parë këto dokumente, dy kosovarët kanë refuzuar të luftojnë dhe kanë kërkuar që të zhvendosen në Siri. Ndërkaq njëri, sipas gazetës, kishte thënë se ka dhembje koke, transmeton Koha.net.

Evropa tani frikësohet se luftëtarët huaj të zhgënjyer mund të kthehen në shtëpitë e tyre, në një mënyrë apo tjetër.

Nga mbi 4,000 luftëtarë të huaj të cilët janë larguar nga shtetet e BE-së për në Irak dhe Siri, rreth një e treta e tyre janë kthyer, sipas një raporti të publikuar nga Qendra Anti-Terror me bazë në Hagë. Rreth 14 për qind e tyre janë konfirmuar të vdekur, ndërsa pjesa tjetër janë ende jashtë vendlindjeve të tyre apo nuk u dihet vendndodhja.

Forcat anti-terror të Irakut zbuluan dokumentet në një shtëpi në lagjen al-Andalus në Mosul që po përdorej si bazë administrative për batalionin Tariq Bin Ziyad.

Militantët janë parë duke i larguar dokumentet dhe kompjuterët nga ndërtesa, sipas fqinjëve, para se t’i vinin zjarrin ndërtesës derisa forcat irakiane rimorën zonën nën kontroll, ka thënë zyrtari ushtarak, koloneli Muhanad al-Tamimi, njësiti i të cilit gjeti dokumentet, transmeton Koha.net.

“Ata luftëtarë të huaj janë luftëtarët më të tmerrshëm ndaj të cilëve kemi luftuar”, thotë ai. “Kur ata luftëtarë refuzojnë të luftojnë, do të thotë se e kanë kuptuar se kjo organizatë është islam i rremë dhe jo ajo për të cilën kanë ardhur”.

Edwin Bakker, një hulumtues në Qendrën Ndërkombëtare Anti-Terror dhe profesor i anti-terrorizmit në Universitetin Leiden, ka thënë se luftëtarët nga vendet e Evropës Perëndimore janë të njohur mirë nga agjencitë e inteligjencës, por për ata që vijnë nga vendet si Bosnja e Kosova ka më pak informata.

Me kufijtë e hapur në Evropë, këta luftëtarë mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të ndërmarrin sulme në kontinent, thotë ai. Por, sipas tij, paralajmërimet për një “cunami” të luftëtarëve të huaj të kthyer, janë të ekzagjeruara.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...