5 Shkurt 2017 - 19:06
Ky mur i ndërtuar ilegalisht qëndroi gati 2 muaj në këtë pjesë të qytetit të Mitrovicës, raporton KTV.
Punimet rreth murit u zhvilluan pa asnjë incident. Për të parë nga afër rrënimin e murit ishte edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostollova.
Tha se nuk do të ketë më mure. Aposotolova kërkoi të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, duke iu referuar me termin “Zajednicë”.
Shefja e BE-së nuk ka caktuar datën se kur do të përfundojnë punët e projektit për rivitalizimin e urës, por, siç është shprehur ajo, “Ura e Ibrit do të jetë ura më e bukur në Kosovë”.
Edhe qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit të Mitrovicës e kanë mirëpritur rrënimin e murit. Pas më shumë se një orë pune, ekskavatorët u larguan, ndërkohë që punëtorët filluan ta rrethojnë me mburoja këtë pjesë.
Pak minuta pasi është rrënuar në tërësi muri afër urës kryesore të Lumit Ibër në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustasfa, i shoqëruar edhe nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, kanë mbajtur një konferencës për media.
Kreu i qeverisë ka treguar edhe për negociatat e shumta që i kishte zhvilluar që nga janari me kryetarin e komunës së veriut dhe ndërkombëtarët për marrëveshjen e cila çoi në rrënimin e këtij muri.
Shefi i ekzekutivit ka theksuar se muri ishte çështje e brendshme e Kosovës dhe si e tillë është zgjidhur.
Megjithatë, theksoi se në Bruksel këtë çështje e kishte hapur vetëm Federica Mogherini.
Zyrtarët e qeverisë janë shprehur të bindur se pas rrënimit të këtij muri në Mitrovicë nuk do të ketë më kurrfarë pengesa, të cilat do të bllokojnë qarkullimin e lirë.
E, për gjithë këtë bashkëpunim, si Mustafa, ashtu edhe ministri Shala, u përkujdesën që disa herë të falënderojnë kryetarin e komunës së Veriut Goran Rakiq, për të cilin thanë se ishte shumë bashkëpunues, duke zbatuar ligjet e Kosovës.
Por, është pikërisht kryetari i veriut, Goran Rakiq, ai i cili doli me paralajmërimin se të martën do të fillojë ndërtim i strukturave të betonit pak metra larg murit që ekzistonte deri të dielën.
Ky mur i cili do të ketë një lartësi prej 70 cm dhe gjerësi 120 cm sipas Rakiqit do të garantojë sigurinë e qytetarëve të Mitrovicës veriore.
Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thënë se angazhimi konstruktiv që është parë gjatë dy takimeve të fundit, në kuadër të dialogut në Bruksel, ka sjellë rezultate.
Duke komentuar rrëzimin e murit, Mogherini ka thënë se është zbatuar marrëveshja e cila është arritur në Bruksel.
“Kjo do të kontribuojë për lirinë e lëvizjes, kontaktet mes njerëzve dhe pajtimi i ndërsjellë dhe do të sjellë përfitime për qytetarët në jug dhe veri të Mitrovicës”, thuhet në një deklaratë të saj.
Mogherini ka thënë se liderët politikë në rajon janë duke treguar kurajo dhe vizion duke shembur mure dhe duke u fokusuar në ndërtimin e urave. “Ky është shpirti i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur ajo.
Për rrëzimin e murit është deklaruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se rrëzimi i murit në Mitrovicë tregon se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj.
“Rrëzimi i murit në Mitrovicë është qëndrimi ynë se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj. Ky nuk ishte një veprim për politika ditore, por një përkushtim i palëkundur se Kosova është një dhe si e tillë ofron mundësi për të gjithë qytetarët, pa dallim. Muret i takojnë së kaluarës, ndërsa Kosova është e drejtuar kah e ardhmja”, është shprehur Veseli.
Kreu i Kuvendit më tutje ka shtuar se rrënimi i murit në mënyrë të qetë tregon se sa i rëndësishëm është dialogu i brendshëm.
Nga ana tjetër, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, vazhdon ta mbrojë deklaratën e tij se muri nuk do të rrënohet, por vetëm do të shkurtohet.
“Se nuk po rrënohet muri, por vetëm po shkurtohet, e dëshmon fakti që më 7 shkurt do të ndërtohet një mur tjetër, shumë pak më tutje nga ky aktuali, dhe do të jetë rreth 1 metër i lartë.
Kjo, në fakt tregon që muri nuk po rrënohet, por vetëm po "spostohet" pak më tutje dhe po shkurtohet pak”, ka shkruar Molliqaj në një postim në llogarinë e tij në facebook. Sipas tij, arsyeja se përse po rrënohet muri aktual, është që Qeveria e Kosovës të dalë mirë përkohësisht para qytetarëve të saj.
“Mirëpo, marrëveshja e fundit tregon që Serbia ka arritur qëllimin e saj që në atë pjesë të ketë mur. Pra, fillimisht qeveria e Kosovës fiton pikë, pastaj pas disa ditësh Serbia fiton mur, ndërsa Kosova e humb edhe më tutje kontrollin mbi veriun e vendit”, ka shkruar Molliqaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...