Problemet e kritikat e gazetarëve nuk i dëgjojnë përfaqësuesit e institucioneve

4 Shkurt 2017 - 06:30      

Kritika të shumta kanë pasur përfaqësuesit e gazetarëve e të mediave sa i përket sigurisë së gazetarëve, transparencës së institucioneve e zbatimit të ligjeve që prekin fushën e mediave në tryezën “Niveli i lirisë së mediave dhe siguria e gazetarëve", të organizuar të premten nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Është kritikuar puna e gjykatave dhe e Prokurorisë sa i përket mungesës së zgjidhjeve të rasteve të kërcënimit e sulmeve ndaj gazetarëve, e gjithashtu edhe përfaqësuesit politikë për mungesë transparence e shmangie nga kërkesat për qasje në dokumente publike, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo këto kritika nuk kanë qenë prezentë për t’i dëgjuar përfaqësuesit e Prokurorisë e të gjykatave, edhe pse, sipas organizatorëve, kanë qenë të ftuar. Ato nuk i ka dëgjuar as kreu i Qeverisë, Isa Mustafa, i cili, pasi e ka përfunduar fjalimin e tij në këtë tryezë, me arsyetim të agjendës së ngjeshur, është larguar.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, ka folur për raportin e AGK-së, “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar. Hysenaj ka thënë se në këtë raport kanë dhënë rekomandime për sistemin e drejtësisë e edhe rekomandime se si mund të përmirësohet situata e gazetarëve në redaksitë ku punojnë.

Në anën tjetër, avokati i popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se është evidente që ka pasur cenime të integritetit të gazetarëve, ka pasur kërcënime, e sipas tij, me këto kërcënohet e drejta kushtetuese. Ai ka deklaruar se si institucion i Avokatit të Popullit nuk kanë pranuar një numër substancial të ankesave, të cilat ata si institucion për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut do t’i krijonin hapësirë për të krijuar një hulumtim sistematik dhe për të dhënë një qëndrim sistematik për problemet me të cilat përballen gazetarët.

Dinka Zhivalj nga Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se mediat luajnë një rol shumë të madh në shoqëritë demokratike, por se roli i tyre, sipas saj, është shumë më i rëndësishëm në formësimin e demokracive të reja. Sipas saj, siguria fizike dhe të qenit në gjendje për t’u shprehur lirshëm janë parakushte për liri të shprehjes dhe liri të mediave. Në Kosovë, sipas saj, ka mungesë të implementimit të Kushtetutës që garanton lirinë e shprehjes.

Folësi i fundit në panelin hyrës, kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, ka thënë se problemet në fushën e gazetarisë janë identifikuar shumë herë me vite, ndërsa raportin e ri të AGK-së tha se e sheh si një dëshmi të pamohueshme se gazetarët kanë gatishmëri dhe po luftojnë për përmirësimin e standardeve profesionale në vazhdimësi.

Mirëpo ai ka thënë se këtë gatishmëri nuk po e sheh prej palës, që, sipas tij, është vendimtare në këtë pikë, e që ka thënë të jetë politika në kuptim të gjerë.

Bajrami ka kritikuar politikën edhe për mostransparencë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...