Jeremiq: Ngritja e tensioneve rreth Kosovës, e koordinuar midis Thaçit e Vuçiqit

3 Shkurt 2017 - 10:46      

Ngritja e tensioneve rreth Kosovës, që po ndodh gjatë javëve të fundit është e koordinuar drejtpërdrejt midis Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara në Serbi. Kështu ka deklaruar kryetari i Qendrës për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të qëndrueshëm (CIRSD), Vuk Jeremiq, shkruan sot “Danas” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë thotë se ata po përpiqen të mjegullojnë problemet ekonomike duke ngritur tensionet në mënyrë artificiale.

“Kur doni të mjegulloni atë që po ndodhë, se papunësia po rritet, pavarësisht nga lustrimi i statistikave, se dhjetëra mijë të rinj dhe njerëz të aftë për punë po ikin si të pa kokë, atëherë rrisni tensionet rreth Kosovës, ndonëse nuk ka asnjë arsye të vetme që rreth saj të ketë tensione”, citohet të ketë thënë Jeremiq.
Ai është shprehur se kjo mënyrë e sjelljes tashmë është e njohur në këto hapësira, sepse kështu janë sjellë Sllobodan Millosheviqi dhe Franjo Tugjman gjatë viteve të nëntëdhjeta kur kanë dashur të forcojnë pushtetin e vet për një periudhë dhjetëvjeçare, gjë që ka ndodhur.

“E tash Thaçi e Vuçiq duan të forcojnë pushtetin e tyre për dhjetë vjetët e ardhshme. Kur janë në Bruksel ata përshëndeten dhe merren vesh pas dyerve të mbyllura, e kur kthehen mbajnë mbledhje dramatike – në rastin tonë kryeministri fluturon me helikopter në Rashkë dhe fton kryebashkiakët nga veriu (i Kosovës – sqarim ynë) për konsultime”, ka thënë Jeremiq.

“Kjo është sjellje e papërgjegjshme, e shoqëruar me negociata në Bruksel të cilat pushteti i vlerëson 5:0. Nëse janë 5:0 për ne kundruall Kosovës, pyes se çfarë do të ndodhte sikur shqiptarët ta zvogëlonin rezultatin në 5:1. Kjo do të ishte katastrofë”, është shprehur ish ministri i Jashtëm Serb, tash pretendent për postin e presidentit të Serbisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...