Thaçi fton Serbinë të largohet nga deklaratat që nxisin konflikte

2 Shkurt 2017 - 16:14      

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ftuar Serbinë që të largohet nga deklaratat që ndikojnë në dëm të uljes së tensioneve në Kosovë.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Thaçi thotë të jetë i zhgënjyer dhe i shqetësuar nga fushata propagandistike e Serbisë, që për qëllim ka ndjelljen e frikës dhe urrejtjes ndëretnike në veri të Kosovës.

Kjo është deklarata e Thaçit:

“Jam i zhgënjyer dhe i shqetësuar me fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës.

Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Përgjatë gjithë historisë së deritashme, shteti i Serbisë e ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllime të veta politike komunitetin serb që jeton në Kosovë. Pasojat e një qasje të tillë destruktive janë evidente edhe sot.

Prandaj, përsëri e ftoj Serbinë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.

Kosova dhe i gjithë rajoni ynë kanë nevojë vetëm për rritje të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE dhe NATO, si kusht kryesor për paqen dhe sigurinë afatgjate”.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...