Zyra Kombëtare e Auditimit i ndihmon Kuvendit për të marrë vendime të drejta

2 Shkurt 2017 - 15:35      

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të njohjes më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka informuar anëtarët e Komisionit për aktivitetet audituese në kuadër të realizimit të planit vjetor të auditimit, objektivat strategjike të ZKA-së, zhvillimin e kapaciteteve audituese të ZKA-së si dhe përgatitjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit si ONISA dhe EUROSAI.

Z. Osmani ka theksuar edhe një herë që Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimeve profesionale, do t’i ofrojë Kuvendit informata të sakta dhe të qarta lidhur me përdorimin e parasë publike nga administrata e shtetit dhe do të ndihmojë Qeverinë në përmirësimin e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë vlerësuar lartë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe kanë përgëzuar auditorët e jashtëm për profesionalizimin që kanë treguar në vazhdimësi. Ata kanë theksuar se puna e Zyrës Kombëtare të Auditimit i ndihmon Kuvendit për të marrë vendime të drejta dhe për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse.

Anëtarët e Komisionit kanë shprehur interesimin që të kenë takime më të shpeshta me ZKA-në gjatë këtij viti në mënyrë që të rritet cilësia e punës së Komisionit në rishikimin e raporteve të auditimit dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia dhe përgjegjësia në administratën publike.

Gjatë takimit u zhvillua diskutim i hapur në mes të anëtarëve të Komisionit dhe menaxhmentit të ZKA-së, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit, koordinimit të dorëzimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe shqyrtimin e tyre me kohë nga Komisioni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...