Lu sulmon Llallën, thotë është kundër reformës në drejtësi

2 Shkurt 2017 - 11:33      

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke deklaruar se është kundër reformës në drejtësi.

"Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për Vettingun”, siton TC deklaratën e ambasadorit Lu.

"Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre", shtoi ambasadori.

Në lidhje me shortin për KED-në, ambasadori amerikan tha se Prokurori i Përgjithshëm dërgoi në short 3 kandidatë për 3 poste, duke shkelur kështu Kushtetutën, që thotë se anëtarët duhet të përzgjidhen me short.

"Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë Vettingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me Vettingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vettingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e Vettingut", theksoi Lu.

Ndërsa ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin tha se të gjithë duhet të marrin pjesë, në mënyrë që demokracia pjesëmarrëse të funksionojë. “Reforma e drejtësisë vërteton se ndryshimi është i mundur dhe po ndodh. Transparenca dhe pjesëmarrja janë vlera thelbësore evropiane”, tha Vlahutin.

Ndërkohë, ambasadori Borschardt theksoi se “OSBE/ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri”, por “nuk garanton zgjedhje të pastra”.

“Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë do të jenë dëshmitarë të zgjedhjeve dhe punës së KQZ-së, komisionerve, partive dhe votuesve. ODIHR-i nxjerr një raport për zgjedhjet dhe rekomandime të vyera për fushat ku nevojiten përmirësime, me qëllim që të përmbushen standardet ndërkombëtare dhe të respektohet legjislacioni i brendshëm. Në raportet e ODIHR-it, gjeni këshilla të rëndësishme për përmirësime, por ODIHR-i nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra. Gjithçka që mund të bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë është të japin këshilla dhe të përpiqen të shohin shembuj të praktikave të mira dhe të këqija, por ata nuk mund të ndryshojnë thelbësisht sjelljet apo rezultatet”, tha Borschardt.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...