31 Janar 2017 - 13:06
Në hapje e kësaj konference ministri Yagcilar tha se me mbështetjen e SIGMA-së, Ministria e Administratës Publike ka përgatitur një analizë cilësore mbi rishikimin e agjencive, transmeton Koha.net.
Reforma e administratës rublike në Republikën e Kosovës, mbetet një nga proceset kyçe për agjendën evropiane në Kosovë, rikujtoi ministri Yagcilar që në fillim.
Duke theksuar rëndësinë e Reformës së administratës publike, ai shtoi se "Reforma në administratë publike është një nga proceset kyçe në rrugëtimin tonë drejt BE-së, në veçanti Agjendën për Reforma Evropiane. Ne, Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve tona karshi kërkesave të BE-së, me të cilat synojmë të implementojmë standardet më të larta europiane.
Qëllimi i kësaj konference me karakter informues, ishte sqarimi i gjendjes aktuale sa i përket themelimit, menaxhimit, llogaridhënies, raportimit, koordinimit, mbikëqyrjes si dhe rregullimit të institucioneve dhe agjencive të pavarura në kuadër të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.
Duke u bazuar në të gjeturat e analizës, ministri Yagcilar dha rekomandime dhe sugjerime sa u përket hapave të ardhshme që duhet ndërmarrë.
Një varg dokumentesh të rëndësishme strategjike si, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Agjenda Evropiane për Reforma, Programi për Reforma Ekonomike dhe Plani për Zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e përcaktojnë Reformën e Administratës Publike, si e një rëndësie të veçantë për zhvillim kombëtar ekonomik e shoqëror, andaj adresimi i sfidave që ndërlidhen me reformat institucionale, fillon nga organizimi i mirëfilltë i administratës publike, e që synohet të arrihet, dhe avancohet, njëkohësisht përmes pakos legjislative, që aktualisht është në plotësim-ndryshim, përfshirë këtu edhe Ligjin për Organizim të Administratës Publike.
Hartimi i kësaj analize është synuar të ofrojë një vlerësim të detajuar të organizimit të administratës publike, respektivisht të institucioneve dhe agjencive të pavarura dhe atyre nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.
Të gjeturat e kësaj analize synojnë të informojnë vendim-marrjen për hartim të ligjit për organizim të administratës publike si dhe përmirësimin e llogaridhënies dhe organizimit të administratës publike në Kosovë, tha ai.
Sa i përket agjencive në kuadër të Qeverisë, 36 prej tyre aplikojnë vetëm shërbimin civil, ndërsa 10 prej tyre, përveç Ligjit për Shërbim Civil, aplikojnë edhe tjetër legjislacion.
Sa i përket pagave, nuk ekziston parimi “pagë e njëjtë për punë të njejtë” ngase pozita të njëjta paguhen ndryshe në ministri dhe agjenci. Kemi vendime të shumta individuale të agjencive për shtesa në paga ( 58 akte të ndryshme të institucioneve të ndryshme), ndërsa janë deklaruar 150 lloje të ndryshme të shtesave mbi pagën bazë.
Sa i përket aplikimit të katalogut të vendeve të punës në shërbimin në institucionet dhe agjencitë e pavarura të Kuvendit, rreth 14 të tilla nuk e zbatojnë atë, një numër prej 15 janë në proces të përshtatjes dhe pjesërisht e zbatojnë katalogun derisa vetëm tri nga numri prej 32 e kanë zbatuar atë;
Nuk ka linja të qarta të llogaridhënies në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe në disa organe qendrore apo agjenci në kuadër të Qeverisë. Disa institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit nuk e kanë të definuar me ligj, raportimin në Kuvend, disa prej tyre raportojnë praktikisht në Kuvend, disa e dërgojnë raportin vetëm për njoftim derisa ka të tilla që e kanë të definuar raportimin por nuk raportojnë në Kuvend.
Bazuar në të gjetura, nga analiza kemi ardhur në përfundim se duhet të vazhdojmë me këto rekomandime dhe hapa:
• Finalizimi i projekt-Ligjit për Organizimin e Administratës Publike (ose Ligjin e veçantë për agjencitë) dhe ligjeve tjera si Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat;
• T’i jepet mandati një organi të nivelit të lartë për ta racionalizuar qeverinë qendrore dhe agjencitë. Kjo mund të jetë në formën e një Këshilli ndërministror të kryesuar nga Kryeministri me mandat për ta racionalizuar organizimin e qeverisë qendrore dhe të agjencive. Në këtë rast mund të shfrytëzohet edhe Këshilli ekzistues për RAP apo të krijohet një Këshill i ri;
• Gjatë procesit të rishikimit duhet të ketë një fokus se cilat janë agjencitë me prioritet më të lartë, të mesëm dhe të ulët, por do të rishikohen;
• Të maten rezultatet e racionalizimit duke u bazuar në një seri të indikatorëve dhe të raportohet për ndikimin e reformës në baza të rregullta në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës;
• Të hartohet dhe përgatitet për nënshkrim një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me zbatimin e Nenit 142 në lidhje me agjencitë rregullatorë dhe agjencitë ekzekutive, me qëllim të sqarimit të linjës së llogaridhënies;
• Të përkufizohen dispozitat e përgjithshme për programimin, monitorimin dhe raportimin në projekt Ligjin e ri për Organizimin e Administratës Publike, duke i ndërtuar kriteret minimale për numrin dhe rregullsinë e raporteve, si dhe disponueshmërinë publike të tyre;
• Ministritë të fuqizojnë vijat e llogaridhënies karshi organeve qendrore dhe të pavarura në aspektin e zbatimit të politikave shtetërore.
• Të bëhet planifikimi dhe monitorimi i Planit vjetor të Qeverisë për implementimin e rekomandimeve nga ky rishikim;
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...