Foto: Tanjug

Tsipras në Beograd, pritet “mosnjohja” e Kosovës

31 Janar 2017 - 11:39      

Nga Lisbona, pas samitit të dytë të shteteve mesdhetare të BE-së, kryeministri grek Alexis Tsipras shkon në Beograd për një vizitë dyditore, të cilën e ka përgatitur shumë kohë më parë ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, por duket se edhe pala serbe ka shprehur dëshirën për realizimin e saj.

Vizita zhvillohet vetëm disa ditë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, kur ka pohuar se Serbia bëri gabim që e njohu atë me emrin Republika e Maqedonisë, duke fyer grekët, ndërsa nga ana tjetër Shkupi zyrtar njohu Kosovën, rikujton TCH.

Tsipras fillon kështu një cikël të ri në politikën e jashtme, në një moment kur marrëdhëniet me Shqipërinë dhe FYROM cilësohen si fronte diplomatike të hapura. Siç komentonte ditë më parë “Kathimerini”, në Beograd ai kërkon të riforcojë pozitat e Greqisë në Ballkan, pasi edhe vetë Serbia ka probleme me Shqipërinë dhe, siç thekson gazeta, të çojë një mesazh drejt Tiranës se nacionalizmi dhe irredentizmi nuk janë politika të pranueshme.

Tsipras ka vizituar Beogradin para se të merrte pushtetin në zgjedhjet e vitit 2015 dhe kishte deklaruar atëherë se Greqia nuk do të njohë Kosovën, një deklaratë që, sipas “Kathimerini”, mund ta ripërsërisë. Sipas burimeve qeveritare, Athina kërkon që t’u paraprijë zhvillimeve nga Shqipëria, pas informacioneve që disponon se pritet një rritje e fuqisë së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në prag të zgjedhjeve të qershorit, fakt që mund të përkeqësojë tonet nacionaliste dhe kjo është një prej arsyeve që Greqia kërkon të bëjë të pranishme politikën e saj stabilizuese në rajon. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...