Tahiri kërkon njohjen e shtetit të Kosovës nga Sudani

29 Janar 2017 - 14:38      

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, tani ambasador i Sudanit në OKB në Gjenevë, Mustafa Osman Ismail, për të diskutuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Sudanit.

Takimi është zhvilluar në Gjenevë, në misionin e Sudanit pranë OKB-së, të premten më 27 janar 2017, takim në të cilin morën pjesë edhe Amin Awad, drejtor i UNHCR-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Edita Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka diskutuar me ish-ministrin Osman Ismail të gjitha argumentet relevante për pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar mbi këtë bazë që Sudani ta njoh shtetin e Kosovës.

Tahiri, siç bën me dije zyra për komunikim me publikun e kryeministrisë, ka theksuar se “pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe ky fakt juridik është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në vitin 2010, dhe se njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Sudanit do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i këtij vendit për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë”, raporton Koha.net.

Ajo e njohu Ismailin me përparimet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e tutje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës përmes njohjeve të fuqishme, anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, hyrjen në rrugën zyrtare të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në.

Ministrja në veçanti ka potencuar se vendet aleate të Sudanit, sikurse që janë Egjipti dhe Turqia, kanë njohur pavarësinë e Kosovës, “andaj edhe Sudani do të duhej të bënte një gjë të tillë”.

Nga ana e tij, ambasadori Ismail, tha se ai dhe shteti i tij i kanë përcjellë dhe vazhdojnë t’i përcjellin me interesim zhvillimet pozitive në Kosovë.

Sipas komunikatës, ai ka theksuar se për përmbajtjen e këtij takimi do të njoftoj Qeverinë e Sudanit, duke përcjellë një raport menjëherë tek Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit të tij.

“Ai gjithashtu inkurajoi që kontaktet dhe vizitat e ndërsjella të vazhdojnë”, duke thënë se mirëpret “një vizitë të delegacionit nga Kosova në Sudan me qëllim të rritjes së mirëkuptimit për çështjet e diskutuara”.

Ismail po ashtu theksoi se një numër i OJQ-ve nga Sudani pas luftës në Kosovë janë angazhuar me ndihma për përmirësimin e gjendjes së paskonfliktit në Kosovë.

Mustafa Osman Ismail më parë ka qenë këshilltar i Presidentit të Sudanit dhe mbi shtatë vjet Ministër i Punëve të Jashtme. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...