Meta përshëndet qëndrimin e administratës Trump ndaj Kosovës

29 Janar 2017 - 11:36      

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka marrë pjesë në mbledhjen e strukturave të Njësisë 5 në Tiranë, ku veç çështjeve partiake ka folur edhe për rikonfirmimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.

Kryetari i LSI-së përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, James Mattis, për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.

“Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke patur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”, deklaroi Meta, raporton Koha.net.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Sekretari i ri i Mbrojtjes, James Mattis, në një dokument drejtuar Senatit amerikan, ka njoftuar se SHBA-të nuk do të ndryshojnë politikat në Kosovë.

Në një raport prej 56 faqes, shefi i Pentagonit konfirmoi se Amerika do ta mbrojë Kosovën dhe se NATO do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Kosova është shembulli më i mirë se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, angazhohet për të mbrojtur interesat dhe vlerat e saj”, pohon Mattis, i cili shton se përballë situatës së sigurisë në rajon KFOR-i është vendimtar në sigurimin e stabilitetit, e nuk do të rekomandonte reduktimin e trupave.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Gjenerali shprehu mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd dhe pohoi se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq edhe kryeministrja britanike Theresa May, gjatë takimit me presidentin Donald Trump, deklaroi se do të mbronin Kosovën bashkë me SHBA. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...