Foto: Koha / ilustrim

AKI-ja nuk i ka paguar tatimet dhe kontributet për shpërblimet e punëtorëve të vet

28 Janar 2017 - 23:12      

Në shkrimin e sotëm të “Kohës Ditore” ku u raportua për dorëheqjen e shefit të AKI-së, Agron Selimaj, u publikuan edhe disa parregullsi që e kanë përcjellë këtë institucion të sigurisë.

Dorëheqja e Selimajt erdhi në kohën kur emri i tij, bashkë me drejtorin e Inspektoratit të kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani, është përfshirë në disa akuza për keqpërdorime në AKI, ku tërthorazi është i implikuar edhe kryeministri Isa Mustafa.

Një tender prej mbi 12 mijë eurosh dyshohet se në vitin 2015 i është ndarë jashtëligjshëm – duke shpërfillur Ligjin e prokurimit - kompanisë “Makcar” të Besnik dhe Arben Mustafës, djemve të kryeministrit Isa Mustafa, për servisimin e një veture “BMW X5”.

Shkeljet janë renditur brenda një letre, që është dërguar në shtator të vitit të kaluar në adresën e kryeministrit Mustafa, nga tre punonjës të Departamentit të Auditimit të AKI-së. Gjetjet e evidentuara nga auditimi, sipas kësaj letre, nuk ishin përfshirë në raportet financiare kur ishin dorëzuar në Qeveri.

Rasti së pari është raportuar publikisht nga portali Insajderi. “Koha Ditore” posedon letrën e plotë, që i është dërguar kryeministrit Mustafa, ku evidentohen shkeljet e pretenduara.

Siç shkruan sot “Koha Ditore”, gjatë analizimit të pagave dhe mëditjeve, sipas draft-raportit të vitit 2015, kanë gjetur se AKI-ja nuk i ka paguar tatimet dhe kontributet për shpërblimet, të cilat u janë paguar punonjësve të AKI-së.

“Shumat e papaguara janë: kontributi pensional prej 25.045,00 eurosh, ndërsa tatimi prej 23.344,51 eurosh, që në total i bie të jenë 48.389,51 euro, që nuk është në pajtim me Ligjin për tatimin në të ardhurat personale, si dhe në Ligjin për fondet pensionale të Kosovës”, thuhet në draft-raport.

Mospagesa e tatimeve dhe kontributeve pensionale, sipas këtij drafti, ka ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve në kategorinë paga dhe mëditje dhe pagesës së shpërblimeve nga kategoria subvencione dhe transferime në mungesë të bazës ligjore.

Çështje tjetër në draft-raport është paraparë edhe pagesa e subvencioneve dhe transferimeve, e cila është konstatuar se është bërë pa bazë ligjore. Gjatë analizimit të shpenzimeve nga kategoria subvencione dhe transferime auditorët kanë gjetur se në 12 raste në shumën prej 244.750,00 eurosh subvencionet dhe transferimet janë shfrytëzuar për pagesën e shpërblimeve (bonuseve) në mungesë të kritereve dhe procedurave, të cilat e rregullojnë mënyrën e realizimit të këtyre pagesave, çka nuk është në pajtim me Ligjin për buxhetin e Kosovës.

“Shfrytëzimi i mjeteve nga kategoria subvencione dhe transferime për pagesë të shpërblimeve për punonjës është bërë për shkak të mungesës së buxhetit në kategorinë paga dhe mëditje, si dhe për shkak të moshartimit dhe miratimit të kornizës ligjore për shfrytëzim të mjeteve nga kjo kategori”, thuhet në raportin që e ka publikuar sot “Koha Ditore”, ku mund të gjeni edhe detaje tjera. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...