Foto: Ilustrim

AKI përshtat specifikat teknike në tender për të blerë iPhone 6S

28 Janar 2017 - 16:37      

Gazeta “Koha Ditore”, në numrin e sotëm ka raportuar për dorëheqjen e tashmë ish-shefit të AKI-së, Agron Selimaj.

Dorëheqja e të parit të AKI-së vjen në kohën kur emri i tij, bashkë me drejtorin e Inspektoratit të kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani, është përfshirë në disa akuza për keqpërdorime në AKI, ku tërthorazi është i implikuar edhe kryeministri Isa Mustafa.

Veç tenderit prej mbi 12 mijë eurosh që dyshohet se i është ndarë jashtëligjshëm në vitin 2015 – duke shpërfillur Ligjin e prokurimit - kompanisë “Makcar” të Besnik dhe Arben Mustafës, djemve të kryeministrit Isa Mustafa, për servisimin e një veture “BMW X5”, gazeta ka mësuar se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës dyshohet edhe për blerjen e jashtëligjshme të telefonave të mençur për pozita menaxheriale në shumë prej 12.612,60 eurosh në vitin 2015.

Këto të dhëna janë publikuar brenda një letre, që është dërguar në shtator të vitit të kaluar në adresën e kryeministrit Mustafa, nga tre punonjës të Departamentit të Auditimit të AKI-së. Gjetjet e evidentuara nga auditimi, sipas kësaj letre, nuk ishin përfshirë në raportet financiare kur ishin dorëzuar në Qeveri.

Sipas kësaj letre, punonjësit kishin pasur presion në vitin 2015 për largimin e dy të gjeturave: blerjes së telefonave “Smart” për pozita menaxheriale në shumën prej 12.612,60 eurosh, si dhe riparimin dhe servisimin e veturës së blinduar “BMW X5” në shumën prej 12.133,37 eurosh.

Sa i përket blerjes së telefonave të mençur, sipas raportit, AKI-ja në vitin 2015 kishte paguar 12.612,60 euro. Edhe këtu, procedura e blerjes është realizuar vetëm me një operator ekonomik, “duke ia përshtatur specifikacionet teknike një marke të caktuar pa dhënien e arsyetimeve përkatëse”.

“Nuk janë respektuar procedurat për vlerësim të ofertave, ngase njëri komision është marrë me vlerësimin e specifikacioneve teknike, ndërsa komisioni tjetër vetëm e ka legalizuar punën e komisionit paraprak, duke e shpallur fitues operatorin ekonomik, të cilit iu kanë përshtatur specifikacionet teknike, çka nuk është në pajtim me Rregulloren për mënyrat dhe procedurat e shpenzimit të mjeteve”, thuhet në raport, transmeton Koha.net.

I njëjti rast është cekur edhe në letrën e punonjësve, por me më shumë sqarime. Aty thuhet se njësia kërkuese ka bërë përshtatjen e kritereve vetëm një operatori dhe një marke të telefonave, si dhe nuk janë grumbulluar ofertat nga operatorët e tjerë ekonomikë. “Konkretisht i ka përshtatur specifikacionet teknike markës “iPhone 6S”, kurse arsyetimi i blerjes ka qenë motivimi dhe lehtësimi i punës për zyrtarët, të cilëve u dedikohen”, thuhet në letër.

“Ky komision ka udhëzuar blerjet e këtyre telefonave të bëhen në kompaninë “Molla”, duke arsyetuar se kjo kompani është e vetmja e autorizuar. Komisioni i dytë i formuar për vlerësimin e ofertave nuk është marrë fare me vlerësimin e ofertave, por vetëm e ka bërë aprovimin e ofertës së vetme, duke vepruar kështu në kundërshtim me Rregulloren për mënyrat dhe procedurat e shpenzimit të mjeteve nga Fondi special operativ në AKI”, thuhet në letër.

Gjithashtu, sipas kësaj letre, zyrtarët të cilët janë pajisur me këta telefona nuk janë lejuar që t`i marrin me vete në vendin e punës, “me çka blerja nuk e ka arritur qëllimin e saj”.

“Përshtatja e specifikacioneve teknike për marka të caktuara, eliminimi i konkurrencës së barabartë ndërmjet operatorëve ekonomikë, si dhe shfrytëzimi i dokumentit të rrejshëm për dhënien e tenderit një operatori ekonomik të caktuar përbëjnë vepër penale”, thekson letra e botuar në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”, ku mund të gjeni edhe detaje tjera rreth dyshimeve për keqpërdorime ne AKI.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...