27 Janar 2017 - 18:04
“Sidomos jam e befasuar me një pjesë të përmbajtjes së këtij reagimi aty ku thuhet se procesi ka qenë jotransparent. Fillimisht më duhet të theksojë se për herë të parë pas një periudhe relativisht të gjatë Komisioni për Media ka marrë parasysh edhe rekomandimet e raportit të progresit që RTK të ketë një financim të qëndrueshëm dhe të pavarur nga buxheti i shtetit”, ka thënë Izmaku, në një letër dërguar medieve.
Ajo ka thënë se është gjithashtu hera e parë kur seriozisht janë marrë me zgjidhjen e çështjes së pronës.
“Financimi i RTK-së sipas këtij ligji do të jetë i pavarur drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa vetëm një pjesë është nga buxheti i shtetit kryesisht për çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me politika editoriale. Për të qenë sa më transparent dhe në përputhje me standardet evropiane ne kemi ftuar përfaqësuesin e BE në Kosovë, në punëtorinë e organizuar në Durrës (14-16 tetor 2016) dhe përgjigja ka qenë se nuk mund të marrin pjesë por që do t'i dërgojnë komentet e tyre me shkrim pas konsultimeve me Brukselin. Dhe asnjëherë prej atëherë nuk kemi marrë asnjë rekomandim”, ka thënë Izmaku. “Gjithashtu, takimet e Komisionit për Media kanë qenë të hapura për pjesëmarrje ku kanë mundur të vijnë edhe zyrtarët e BE-së në Kosovë. Pikërisht për ligjin e RTK, anëtarë të Komisionit për Media kanë zhvilluar disa vizita në disa transmetues publik rajonal dhe më gjerë dhe kemi marrë praktikat më të mira për t'ia përshtatur RTK-së. Dhe mënyra mikse e financimit siç e kanë shumica e transmetuesve publik edhe në vendet e BE-së duket të jetë forma më e qëndrueshme”, ka thënë tutje ajo.
Sipas saj, sigurisht që draft ligji do të dorëzohet në Qeveri për komente, siç e parasheh procedura, pastaj do të kërkohen komentet e Unionit Evropian të Transmetuesve dhe BE.
“Prandaj, ngutia nga ana e BE, për të dalë me reagim ende pa u informuar se cilat janë procedurat dhe çka përmban ligji duket e habitshme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit me të cilin po përballet me vite të tëra RTK”, thuhet në fund të letrës së Izmakut.
Kujtojmë se sot Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së është e brengosur rreth mungesës së transparencës në hartimin e amandamenteve të ligjit mbi Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe miratimin e propozim-amandamenteve nga komisioni parlamentar për media pa praninë dhe pa diskutime publike. Në letër gjithashtu thuhet:
BE-ja bën thirrje që Kuvendi të lejojë publikun e interesuar për të marrë pjesë në debatin mbi amandamentimet në pajtim me parimet e qeverisjes së mirë, Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) në mes Kosovës dhe BE-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane si mjet për implementim të MSA-së.
BE-ja është e inkurajuar se përkundër vonesës së konsiderueshme, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë vendosur të përmbushin dispozitat e ligjit mbi RTK-në të vitit 2012 të cilat përcaktojnë se zgjidhja rreth financimit të RTK-së duhet të gjendet fillimisht përmes abonimit dhe burimeve të tjera të pavarura të financimit (neni 21).
Megjithatë, BE-ja, është informuar se buxheti i shtetit do të mbetet burim i rëndësishëm, nëse jo de facto primar, i financimit të transmetuesit publik, që mund të dëmtojë pavarësinë afatgjate editoriale dhe financiare të RTK-së, veçanërisht në një situatë ku nuk dihet se si mbledhja e tarifës së parapagimit është e rregulluar.
BE-ja po ashtu i bën thirrje Kuvendit, si përfaqësues i popullit, që të krijojë hapësirë për diskutim publik dhe konsultime në çdo fazë të përgatitjes së amandamenteve të ligjit për RTK-në.
Kjo do të mundësonte që palët e interesit të japin kontributin e tyre në hartimin e ndryshimeve në mënyrë që ndryshimet t’i ofrojnë RTK-së mjetet e nevojshme për të ushtruar përgjegjësi publike të pavarur nga ndonjë ndikim dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës të cilëve ju shërben.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...