Në Ditën e Holokaustit në Tiranë vendoset pllaka “Të drejtë midis kombeve”

27 Janar 2017 - 14:46      

Tiranë, 27 janar - Asambleja e Përgjithshme OKB-së e caktoi 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Kjo datë përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau nga forcat sovjetike në vitin 1945.

Në kuadër të kësaj dite në kryeqytet u zbulua pllaka përkujtimore në nder të viktimave të Holokaustit, në prani të Ambasadorit Izraelit në Shqipëri Boaz Rodkin.

Pllaka përkujtimore ishte e vendosur në një pemë ulliri si simbol i paqes , të mbjellë në parkun mes Korpusit në sheshin “Nënë Tereza” dhe hotel Sheraton. Në inagurim ishin të pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, ambasadori amerikan Donald Lu, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin etj.

Në pllakën e vendosur pranë pemës së ullirit shkruhet se Shqipëria është vend i rrallë në Europën e ditëve të sotme.

“Të drejtë midis kombeve. Në Shqipëri nuk gjen as dhe një gjurmë të vetme të çfarëdolloj diskrimini kundër hebrenjëve , për arsye se Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Europën e ditëve të sotme, ku nuk ekzistojnë paragjykimi apo konfiklte fetare të ngjashme, megjithëse vetë popullsia shqiptare është e ndarë në tri fe. Sot 75 shqiptarë gjenden në listën e “Të drejtë midis kombeve”. Me mbështetjen e konsullit të nderit të Izraelit në Shqipëri, Rudolf Xhillari”.

Në këtë ditë përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve.

Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie. Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.

Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.
Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 70 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht.

Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.‪

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...