Tajlanda, partner politik dhe ekonomik i Kosovës

27 Janar 2017 - 13:58      

Bangkok, 27 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vizituar Mbretërinë e Tajlandës në kuadër të turneut diplomatik, që po zhvillon në Azi.

Ministri Hoxhaj në takimin me ministrin e Jashtëm të Tajlandës, Don Pramudwinai, ka diskutuar për nevojën e thellimit të raporteve politike dhe ekonomike mes dy shteteve tashmë kur është në proces e sipër hapja e Ambasadës së Kosovës në Tajlandë.

Tajlanda do të jetë një nga partnerët kryesorë të Kosovës në këtë pjesë të Azisë Juglindore premtoi kryediplomati i këtij shteti, ndërsa për Hoxhajn kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për shtetin e ri të Kosovës.

“Nga takimet që kisha me ministrin e Jashtëm, me kryetarin e Kuvendit dhe me deputetë të Parlamentit të Tajlandës, si dhe me Odat Ekonomike të këtij vendi, mund të them që Kosova gëzon një mbështetje të mirëfilltë në Tajlandë. Ky vend është i interesuar që të ketë lidhje më të forta politike me Kosovën, bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik dhe shkëmbim në mes të shoqërive tona, sikurse që është e interesuar ta mbështesë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe të shndërrohet në një vend mbështetës kudo që Kosova ka nevojë në Azinë Juglindore”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Tajlandës tha se e mirëpret hapjen e Ambasadës së Kosovës në Tajlandë dhe shprehu besimin se shumë shpejtë edhe Tajlanda do ta ketë ambasadën e saj në Prishtinë.

“Ideja është që t’i thellojmë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Të dyja vendet kemi shumë gjëra që qytetarët tanë mund t’i shfrytëzojnë. Ne besojmë që me këtë vizitë janë hapur rrugët për marrëdhënie edhe më të afërta me njëra-tjetrën”, ka thënë ministri i Jashtëm i Tajlandës, Don Pramudwinai.

Kryediplomati kosovar ka takuar edhe kryetarin e Parlamentit të Tajlandës, Pornpetch Wichitcholcha, të cilin e ka informuar për të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, dhe për nevojën për të rritur e zgjeruar lidhjet miqësore me shtetet e tjera përtej Evropës, veçmas me Azinë.

Po ashtu, është rënë dakord për të themeluar grupet parlamentare të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës.

Një tjetër takim të rëndësishëm, Hoxhaj e ka zhvilluar me komunitetin e biznesit të Tajlandës, duke i informuar për potencialet investuese në Kosovë.

Në takim me drejtuesit e Odës Kombëtare Ekonomike të Tajlandës, Hoxhaj ka ngritur idenë e organizmit të një Forumit të përbashkët ekonomik gjatë këtij viti në Tajlandë dhe ka kërkuar mbështetjen e tyre.

Pas vizitës së javës që shkoi në Francë, Hoxhaj ka qëndruar në Azi duke vizituar katër shtete që e kanë njohur Kosovën si Singaporin, Brunein, Malajzinë dhe Tajlandën.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...