Dërguti në Strasburg: Serbia nuk e ka tejkaluar të shkuarën e saj koloniale

26 Janar 2017 - 18:54      

“Kosova është një rrëfim kolonizimi që zgjati gati një shekull, dhe i përpjekjes së vendosur të popullit të saj për çlirim nga regjimi gjenocidal i Serbisë”.

Kështu ka thënë në hyrje të fjalimit të saj, mbajtur në Strasburg nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tutje, ajo ka thënë se shteti serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë, vrau më shumë se 12,000 njerëz.
“Mbi 95% e tyre ishin civilë të pambrojtur - kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Më shumë se 3,000 janë rrëmbyer dhe 1,600 persona janë ende të pagjetur. Ka pasur 20,000 gra dhe vajza të dhunuara. Mbi 740,000 persona janë dëbuar me forcë nga vendi, ndërsa 120,000 shtëpi janë shkatërruar nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe”, ka thënë Dërguti.

Dërguti ka thënë se “pavarësisht këtyre krimeve, Serbia ka refuzuar të kërkojë falje dhe ende e pretendon Republikën e Kosovës si pjesë të territorit të Serbisë, ndërkohë që financon në mënyrë të drejtpërdrejt strukturat paralele kriminale të saj brenda Kosovës, që mbajnë nën kontroll të armatosur një të katërtën e territorit”.
“Serbia nuk e ka tejkaluar të shkuarën e saj koloniale. Përkundrazi, ajo është duke u përpjekur për të ringjallur atë nëpërmjet taktikave të reja politike dhe ekonomike, dhe me anë të kërcënimit të vazhdueshëm të një lufte të re”, ka thënë Dërguti, përcjell Koha.net. “Vetëm në javët e fundit, ka pasur tri zhvillime të ndryshme të nisura nga Serbia: ndërtimi i murit ndarës në veri të Mitrovicës, arrestimi i Ramush Haradinajt, liderit të një partie politike, si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia, një udhëheqës i cili u shpall i pafajshëm dhe si rezultat u lirua nga Tribunali i Hagës, dhe në fund, përpjekja për të drejtuar trenin nga Beogradi përmes Kosovës. Treni rus megjithatë u ndalua për shkak të mesazhit që mbante nga jashtë, të shkruar në 20 gjuhë të ndryshme, duke pretenduar se ‘Kosova është Serbi’”.

Në fund, Dëguti ka thënë se "ky mesazh ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për pavarësinë e Republikës së Kosovës, që është njohur nga 113 shtete, e që sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008, nuk ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të ligjit ndërkombëtar. Këto njohje nuk janë arritur pa kundërshtimin e drejtpërdrejtë të Serbisë, e cila ka udhëhequr një fushatë gjithnjë e më negative ndaj Kosovës dhe popullit të saj".

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...