Zëvendëskryeministri Kelmendi bizneseve në Ferizaj u premton lehtësi

26 Janar 2017 - 15:32      

Prishtinë, 26 janar - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka vizituar sot komunën e Ferizajt. Me kryetarin e kësaj komune, Muharrem Sfarqa, ai bisedoi për çështjet ekonomike, trajtimin në të ardhmen të hekurudhës që kalon në qendër të qytetit, si dhe kyçjen e zonave industriale në autostradë, thuhet në njoftimin për medie.

Zëvendëskryeministri Kelmendi në veçanti foli për pakon e dytë fiskale, që është duke u përgatitur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën synohet zhvillimi i veprimtarisë prodhuese në vend.

“Pakoja fiskale dy, përfshin 99 për qind të veprimtarive prodhuese edhe të kësaj komune, dhe kjo do të jetë shumë ndikuese dhe presim që të kthejë lakoren e rritjes ekonomive të këtyre veprimtarive jashtëzakonisht shumë dhe shpejt. Prandaj në përgjithësi është në interes edhe të bizneseve të komunës së Ferizajt” ka theksuar zëvendëskryeministri Kelmendi në një konferencë për media pas takimit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, zëvendëskryeministrin Kelmendi e njoftoi për afarizmin e kësaj komunë, si dhe me nevojat që ka biznesi në përgjithësi.

“E njoftova për të gjitha të arriturat që janë zhvilluar këtu, duke e pasur parasysh që Komuna e Ferizajt tashmë është një komunë e zhvilluar e Republikës së Kosovës përmes bizneseve, të cilat janë në numër shumë të madh këtu dhe të cilat absorbojnë një numër të madh të punëtorëve në këtë shkallë të lartë të papunësisë”, theksoi kryetari Sfarqa.

Kryetari Sfarqa shtroi edhe problemin lidhur me projektin e ndërtimit të hekurudhës nëntokësore, përmes të cilit do të përfitohet një sipërfaqe afër 6 hektarë në këtë segment të qytetit. Sfarqa përmendi edhe një sërë problemesh të tjera,me të cilat përballet komuna e Ferizajt, si ujërat e zeza, mbeturinat, të cilat, siç tha ai, po bëhet përpjekje të zgjidhen përmes kredive të buta.
Gjatë qëndrimit në Ferizaj, zëvendëskryeministri Kelmendi ka vizituar disa biznese të këtij qyteti. Në Fabrikën e ujit “Miros”, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se mori kërkesë rreth çështjes së taksës së ujit nga e kaluara, për të cilën u zotua që do të shohë mundësitë e eliminimit të saj.

Në vizitën e bërë në fabrikën e ëmbëlsirave “Rolleo”, zëvendëskryeministri Kelmendi u shpreh i fascinuar me mënyrën e organizimit. “Është një biznes i vogël, por që praktikisht punëson gjininë femërore, që është shumë me rëndësi për ne dhe gjithsesi, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Zëvendëskryeministri ka vizituar edhe fabrikën e këpucëve “Hit Shoes” si dhe kompaninë “Eli-AB”, ndërsa gjatë pasdites ka takuar përfaqësues të tjerë të bizneseve të kësaj komune.

Duke iu premtuar mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, zëvendëskryeministri Kelmendi ka kërkuar nga bizneset që të mos ndalen me investime, në mënyrë që Kosova të ketë rritje ekonomike, rritje të punësimit, dhe zvogëlim të informalitetit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...