Foto: Koha / ilustrim

Mustafa: Raporti i Transparency International dhe vendimi i CAS-it dëshmi e progresit të Kosovës

25 Janar 2017 - 18:22      

Raporti i fundit i Transparency International dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv janë dëshmi të rëndësishme të progresit të Kosovës, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se, “përkushtimi i jashtëzakonshëm i Qeverisë së Kosovës po reflekton në raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare”.

Mustafa gjithashtu ka thënë se gjatë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive.

“Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”, ka shkruar Mustafa.

Ai thotë se Kosova meriton të jetë e renditur edhe më lartë në raportin e Transparency International.

Jam i bindur se Kosova sot meriton të jetë e renditur edhe disa dhjetëra vende më mirë në këtë raport, por ne do të rrisim edhe më tutje angazhimin që ta bëjmë Kosovën shembull të luftës kundërkorrupsionit në rajon. Rezultatet në këtë drejtim na u konfirmuan edhe nga partnerët e BE-së, të cilët tashmë konsiderojnë se Kosova e ka përmbushur edhe kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu ka thënë se vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv rreth çështjes së pranimit të FFK-së në UEFA ka një rëndësi të madhe.

“Edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv e cila ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA, ka rëndësi të madhe për ne. Ky vendim konfirmon Kosovën në familjen evropiane dhe botërore të futbollit. Duke pas parasysh dashurinë që qytetarët e Kosovës kanë për futbollin dhe nevojës për avancimin e infrastrukturës, para pak ditësh u miratua projekti për Ndërtimin e Stadiumit Nacional të Futbollit në periferi të Prishtinës. Qeveria e Kosovës do të rris edhe më tutje përkrahjen për të gjitha sportet, të cilat gjatë vitit që lamë pas na bën aq shumë krenar”, ka thënë Mustafa.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...