24 Janar 2017 - 13:28
Në këtë takim, Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Kosovës për t’i forcuar lidhjet mes dy shteteve dhe shoqërive në fusha të ndryshme të jetës, veçmas në ekonomi dhe arsim.
Ministri ka siguruar mbështetjen e Bruneit në rast të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
“Takimet që kisha në Brunei me Sulltanin e këtij shteti, me ministrin e Punëve të Jashtme, me ministrin e Arsimit, si dhe me përfaqësues të odave ekonomike, flasin për mbështetjen që e ka Kosova në këtë vend, por edhe në rajonin e Azisë Juglindore. Kemi biseduar se si të kemi një bashkëpunim më të ngushtë politik në rast se Kosova do të aplikonte për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, si dhe të ketë bashkëpunim në mes të ekonomive dhe shoqërive tona në fusha të ndryshme”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Bruneit, Pehin Dato Lim ku kanë folur më detajisht për bashkëpunimin dypalësh pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në javët e ardhshme.
Ministri Lim e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën e parë që e bën në Brunei një zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës.
“Jam i lumtur që prita për vizitë ministrin e Jashtëm të Kosovës dhe anëtarët e delegacionit nga Kosova. Ne kemi marrëdhënie shumë të afërta përgjatë viteve dhe me kënaqësi kërkojmë thellimin e këtyre marrëdhënieve në aspektin ekonomik dhe politik. Shpresojmë që javëve në vijim do ta bëjmë edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Me të vërtetë e çmojmë faktin që na keni ardhur për vizitë në Brunei”, ka thënë Lim.
Më pas, Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Arsimit, Pehin Orang Kaya dhe drejtues të Odës Kombëtare Ekonomike të Bruneit. Me këta të fundit, Hoxhaj ka diskutuar për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik dhe i ka informuar me potencialet investuese në Kosovë.
Hoxhaj po qëndron në kontinentin e Azisë, ku një ditë më herët ka vizituar edhe Singaporin, dy muaj pasi ky shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...