24 Janar 2017 - 09:59
Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke apo italiane.
Ismail Qemali u lind në Vlorë në vitin 1844. Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t'i ipte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit”, shkruan KP.
Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit. Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.
Sipas të birit, Et‘hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”. Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:”Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.
Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë. Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.
I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «...Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme... as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit...”.Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar.
Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.
Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.
Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë. Nikolla Ivanaj në gazetën “Koha e Re”, që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: “Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës.” Më tej: “Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë.”
N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: “Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot.” Gazeta “Kuvendi”, organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë: “Më 24 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike‘“.Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë. Ai pati fatin të ngrejë n ë Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t‘ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.
Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta. Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç‘duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë”.Mihal Grameno, në një artikull me titull “Humbja e Ismail Qemalit”, botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij “Koha” (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:”Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës. Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e sh palli vetëqeverimin e Shqipërisë. Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut.
“Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: “Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë.” (Gazeta “Koha”, Boston, Mass., 12 mars 1919). Ismail Qemali, si kryeministër dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë nga data 28 nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914, d.m.th., 12 muaj e 56 ditë.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...