Konfirmon Qeveria: Në takimin e Brukselit edhe presidenti Thaçi

22 Janar 2017 - 17:47      

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka konfirmuar për koha.net se në takimet e radhës që do të mbahen në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

“Kryeministri Mustafa është në koordinim të vazhdueshëm me presidentin Thaçi për pjesëmarrjen në takimet e radhës në Bruksel”, tha Abrashi.

Kujtojmë se të martën në mbrëmje, pritet vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nën drejtimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë me dije se Serbia në këtë takim do të përfaqësohet nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, dhe nga vet ai, ndërsa ka theksuar se edhe nga pala shqiptare pritet të ketë përfaqësim të nivelit të lartë, raporton FoNet.

“Mendoj se do të ketë mirëkuptim që të mos dërgohen më armë në zonat e banuara me serbë për të treguar muskujt. Për Serbinë, më e rëndësishmja është që t’i shmanget provokimeve”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, transmeton Koha.net.

Gjatë këtij muaji, Serbia nisi një tren të mbushur me mbishkrime nacionaliste serbe nga stacioni qendror i Beogradit për në veri të Mitrovicës, por i cili u ndalua në Rashkë dhe u kthye mbrapsht për në Beograd. Liderët shtetërorë të Kosovës kanë thënë se vendimi për ndalim të hyrjes së këtij treni është marrë nga institucionet e Kosovës, kurse kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, menjëherë pas ndalimit të hyrjes, mbajti një konferencë për media ku tha se vendimi për të mos lejuar kalimin e tij në Kosovë është marrë nga pala serbe, për të, siç tha ai, “shpëtuar jetë njerëzish”.

Policia e Kosovës kishte dërguar njësitet e saja speciale në kufi me Serbinë, përkatësisht në Jarinjë, për të penguar hyrjen e këtij treni, i cili në pjesën e jashtme kishte të shkruar me shkronja të mëdha dhe në disa gjuhë “Kosova është Serbi”, ndërsa në brendësi ishte i brenduar me ikonografi ortodokse.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...