Cilët janë hapat e zbatimit të ligjit Veitting në Shqipëri

20 Janar 2017 - 13:06      

Tiranë, 20 janar- Procesi i rivlerësimit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si Vetting, zyrtarisht nisi nga dje, me hyrjen në fuqi të ligjit, transmeton sot ATSH.. Rivlerësimi do të kryhet mbi bazën e tre kritereve: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.

Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet që do te vendosin për vlerësimin përfundimtar të subjekteve të rivlerësimit, ku të parët që do t’i nënshtrohen këtij procesi ligjor janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Nëse rezultati përfundimtar i njërit prej kritereve të mësipërm rezulton i pamjaftueshëm, Komisioni ose Kolegji i Apelimit do të vendosin detyrimin e subjektit që rivlerësohet të ndjekë programin e posaçëm për riaftësim, pranë Shkollës së Magjistraturës, për një vit.

Nëse subjekti merr vlerësim negativ, këto organe vendosin deri në largimin nga detyra. Në këtë mënyrë, ky ligj do të kryejë për herë të parë një vlerësim tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptare dhe pritshmëritë janë rritja e përgjegjshmërisë profesionale dhe etike e të gjitha subjekteve që do të rivlerësohen e për rrjedhojë përmirësimi i cilësisë së gjithë sistemit të drejtësisë.

I gjithë procesi i rivlerësimit do të kryhet nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të ketë akses në dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të mbikëqyrë gjithë procesin vendimmarrës. Vëzhguesit e huaj do të asistojnë procesin në të gjitha shkallët dhe nivelet.

Me qëllim garantimin e procesit dhe parandalimin e korrupsionit brenda Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit, anëtarët e tij do të kenë një trajtim të posaçëm për veten dhe familjen e tyre. Atyre gjithashtu do t’u garantohet edhe mbrojtje e posaçme nga shteti.

Neni 31 i ligjit parashikon fillimin e procedurës së vlerësimit të pasurisë, ku subjekti plotëson deklaratën e pasurisë, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij ligji dhe brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e dërgon atë pranë ILDKPKI-së. Ky institucion nis menjëherë procedurën e kontrollit sipas parashikimeve te nenit 4, pika 4, si dhe nenit 33 të këtij ligji. 3. Subjekti i rivlerësimit, sipas nenit 179/b, pika 4, fjalia e dytë, të Kushtetutës, ka të drejtë të paraqesë një kërkesë me shkrim drejtuar Komisionit, për vlerësimin e pasurisë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kërkesa i bashkëlidhet deklaratës së pasurisë, sipas shtojcës 2 të këtij ligji.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...