Të krijohet xhandarmëria e Kosovës, propozojnë Abdixhiku e Bajrami

20 Janar 2017 - 09:45      

Prishtinë, 20 janar – Krijimi i xhandarmërisë së Kosovës është përgjigjja e duhur për disa nga kërcënimet serioze që janë shfaqur para Kosovës, sidomos në veri, në kohën kur transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit nuk po ndodh. Një propozim të tillë e kanë bërë kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami dhe drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, në një vështrim të përbashkët, të botuar të premten, në “Kohën Ditore”.

Duke konkluduar se pas incidenteve të fundit, sidomos me “Trenin serb” dhe deklaratat luftënxitëse nga Beogradi, situata mes Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar dhe e rrezikshme, Bajrami dhe Abdixhiku shkruajnë se “në rrethana si këto, është e qartë se institucionet e Kosovës do të duhej të dilnin me një vlerësim të ri për kërcënimet që e rrezikojnë Kosovën” dhe se “ato, para së gjithash, duhet të ndërmarrin veprime e vendime që kanë për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të shtetit për përballje me kërcënime si këto”.

“Kosova, në fund të ditës, nuk guxon të ushtrojë rolin e vet vetëm si spektator që pret fatin e vet varësisht nga disponimet e një fqinji kërcënues”, shkruajnë ata, duke propozuar krijimin e xhandarmërisë, si një zgjidhje e shpejtë dhe efektive, në mungesë të një ushtrie të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Rrugëtimi ynë drejt formimit të ushtrisë, është i realizueshëm, por dhe i komplikuar. Në këtë rrugëtim të komplikuar, Kosova duhet të marrë masa të tjera paralelisht. Masa të përkohshme, që do të mbushin zbrazëtinë që kemi në sistemin mbrojtës për shkak të mungesës së forcave ushtarake mbrojtëse. Masat, natyrisht, në asnjë rrethanë nuk duhen të shihen si zëvendësim i domosdoshmërisë për krijimin e ushtrisë. Ato s’janë përjashtuese, janë veçse plotësuese. Një mënyrë për të arritur këtë, relativisht shpejt dhe lehtë, do të ishte krijimi i xhandarmërisë së Kosovës”, shkruajnë Abdixhiku e Bajrami.

Në shkrim, ata elaborojnë përfitimet në aspektet e sigurisë, ato politike dhe ekonomike, që do t’i kishte Kosova me krijimin e një force të tillë, si formacion ushtarako-policor nën zinxhirin komandues të Ministrisë së Brendshme, themelimi i së cilës “ka gjasa të bëhet edhe brenda kuadrit të tanishëm ligjor dhe pa ndryshime kushtetuese, meqë Ligji për Policinë (neni 32 pika 3) i jep mandat drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës që me miratimin e ministrit të Brendshëm, të themelojë ‘njësitë policore të përkohshme për të kryer detyra të veçanta’”.
Shkrimin e plotë në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...