
18 Janar 2017 - 15:37
Kështu ka thënë Qeveria e Kosovës, e cila, përmes një komunikate për media, thotë se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës, duke qenë se me këtë akt, Kosova do të kishte edhe një kufi ndërkombëtar, do të fuqizohej partneriteti me Malin e Zi, por edhe me NATO-n dhe më gjerë.
Duke pas në konsideratë debatin publik si dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, Qeveria thotë se institucionet e Kosovës kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme që në opinion të trajtohen të gjitha dilemat dhe materialet adekuate rreth këtij procesi.
“Pikërisht në këtë funksion, Qeveria e Kosovës së fundi ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi”, thuhet në këtë komunikatë, ndërsa përmenden edhe të ftuarit e këtij komisioni janë:
- Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës;
- Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;
- Lëvizja Vetëvendosje;
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
- Nisma për Kosovën;
- Dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile;
- Agjencioni i Kadastrit;
- Agjencioni i Ujërave;
- Agjencioni i Pyjeve;
- KOSTT-i;
- Agjencia Kosovare e Privatizimit;
- Policia e Kosovës;
- Agjencioni i Statistikave të Kosovës;
- Komuna e Pejës;
- Komuna e Deçanit;
- Komuna e Istogut;
- Komuna e Junikut;
- Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës.
Ndërkaq, në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga:
- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë;
- Bashkimi Evropian;
- KFOR-i.
“Pjesëmarrjen në punën e Komisionit e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç tri subjekteve opozitare. Dërgimin e anëtarëve për vëzhgimin e punës së komisionit e kanë konfirmuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe KFOR-i”, ka thënë më tej Qeveria.
Ndërkaq, sipas po të njëjtit njoftim, thuhet se takimi Konstituiv i Komisionit do të mbahet më datë 24 janar 2017.
“Duke pas parasysh interesat vitale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe duke ditur zhvillimet e fundit dhe domosdoshmërinë për unifikim rreth kauzave shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës fton përfaqësuesit e tri subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën, që të dërgojnë ekspertët e tyre në komision, kontributi i të cilëve do të ishte tejet i çmuar në këtë proces shtetëror”, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...