17 Janar 2017 - 19:09
Kur vetëm një dron me figura kombëtare shqiptare ishte ngritur mbi një stadium në Beograd, serbët e karakterizuan si provokim të rëndë, shkelje të sovranitetit, kërkuan reagim të organizatave ndërkombëtare përgjegjëse për futboll dhe ndëshkim të Kombëtares shqiptare, e cila luante kundër asaj serbe.
E, ekzaltimi në anën e kundërt ishte i fuqishëm.
Edhe pse në 20 vjetët e fundit është investuar shumë mund dhe para në pajtimin mes popujve ballkanas, nacionalizmi mbetet ende adut i rëndësishëm. Madje është mënyra më e lehtë që të tërhiqet vëmendja nga problemet reale, me të cilat ballafaqohen ballkanasit.
Përveç shkeljes së sovranitetit të Kosovës, gjë të cilën Serbia e ka kthyer në specialitet, provokim nacionalist është konsideruar treni serb, i cili në fundjavën e shkuar tentoi të hynte në Kosovë.
Por, përpos udhëheqësve qeveritarë, që trenin e konsideronin asgjë më shumë sesa mjet udhëtimi, mediat e pavarura serbe, që shpesh ndërhynë në qetësimin e gjakrave, kanë mendim të kundërt.
Kështu nëpërmes një kolumneje, gazeta beogradase Danas shkruan për fanfarën e krijuar rreth trenit.
“Fjalë të rënda, protestë në Mitrovicë dhe lojë me armë,’ shkruan Danas, janë efektet e veprimeve propagandistike të quajtura ‘me tren nga Beogradi deri në Mitrovicën Veriore’.
Pamjen e trenit, Danas e përshkruan si teprim, kiç dhe provokim i qartë, për atë që ishte parakusht për gjithçka, përpos një udhëtimi të qetë. Arsyetimet se zbukurimi i trenit është promovim i trashëgimisë kulturore janë të kota, shkruan gazeta.
Sipas autorit, përbërja e këtillë ka mundur të shkaktojë vetëm një konflikt! Gjë që edhe ndodhi me shpejtësi të dritës.
Danas përmend edhe alarmin e rrejshëm rreth minimit të hekurudhës, daljen e ROSU-së në terren, ndaljen e trenit në Rashkë dhe kthimin e tij e më pas konfliktin verbal.
“Kështu presidenti serb, i cili nën sulmin e pasionit patriotik ose me dëshirë që të marrë ndonjë poen për mandatin e dytë presidencial, pothuajse bëri thirrje për luftë, gjë që nuk e ka për herë të parë dhe harroi se kërcënimi i tij i papërgjegjshëm do të nënkuptonte edhe konfrontim me NATO-n, e këtu pavarësisht ditëve më të mira të historisë së ushtrisë serbe, rezultati dihet paraprakisht”.
E kryeministri, përmend Danas, në mënyrën e tij sërish tentoi të luante shpëtimtarin, me urdhrin që treni të kthehet, për të shmangur kështu konfliktin. Në anën tjetër, drejtori gjithmonë rebel i zyrës për Kosovën, Marko Djuric, serbizimin e tij e tregoi deri te stacioni hekurudhor në Topcider, ku doli.
“Në vend të përgjegjësisë, zyrtarët tanë u fshehën pas reagimit të palës kosovare dhe do t’i pyesja çfarë do të kishte ndodhur me lirinë e lëvizjes nëse për shembull nga Prishtina drejt Nishit ose Beogradit do të nisej treni me ngjyra të Kosovës apo Shqipërisë, e enterieri të ishte i mbuluar me portretet e kamionëve të tyre kombëtarë? Në cilin kilometër ai do të digjej, sulmohej me gurë apo me mina”.
Shtypi serb thotë se ky aksion i propagandës nuk është i vetmi dhe se ky pushtet serb nuk është i vetmi që deshi të tensionojë situatën në Kosovë. Si përfundim, thuhet se në vend të zjarrit qeveria do të duhej të bënte atë çfarë ka për detyrë. Të mundësojë udhëtimin direkt nga veriu për në Beograd dhe pas, mundësisht më shpejtë se 50km në orë dhe më shkurt se 11 orë rrugë, që do të ishte sukses vërtet i madh!
Gazeta tjetër e pavarur serbe, Blic, nëpërmes ballinës së edicionit të 17 janarit, porosit presidentin e vendit, Tomislav Nikolic, se nëse do luftë, lë të shkojë ai!
Blic kështu raporton disa reagime të bashkëbiseduesve, derisa sociologu i njohur serb, Ratko Bozovic, kishte thënë se deklarata për luftë është e fundit që dikush në pushtet ka guxuar ta thoshte. Opinioni serb madje e pyeti se kush vendosi që treni të dukej si kishë.
Dhe derisa nacionalizmi në Ballkan ende nuk ka dalë nga moda, ajo çfarë së paku përkohësisht dhe formalisht e qetësonte ishin kushtëzimet evropiane, për dialog dhe pajtim.
Mediat serbe kritikojnë liderët politikë rreth... by kohanet
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...