Mustafa lavdëron punën 17 vjeçare të ATK-së

17 Janar 2017 - 18:13      

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 17 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Mustafa vlerësoi lartë reformat e zbatuara nga Administrata Tatimore e Kosovës në përmirësimin e shërbimit për tatimpaguesit, e që janë reflektuar edhe në ngritjen e rangimit të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”.
Ai  ka bërë të ditur se si rezultat i punës së këtij institucioni, është ndikuar që Kosova të ngrihet lart për 34 pozita në këtë rangim.
“Unë kam kënaqësi të veçantë që t’ju uroj këtë 17-vjetor të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, që konsideroj se është një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Ky 17 vjetor i themelimit të Administratës Tatimore është edhe një shënim i 17 vjetëve të avancimit të punës së suksesshme që ju e keni bërë në këtë institucion tepër të rëndësishëm. Po ashtu, vlerësoj se kemi një kontribut të veçantë të Administratës Tatimore qoftë në ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit e Republikës së Kosovës, qoftë të ndërtimit të një sistemi të avancuar në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në interes të bizneseve të Kosovës”, tha kryeministri.
Më tej, ai tha se administrata ka përmbushur një rol tepër të rëndësishëm të objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat nuk ndërlidhen vetëm me forcimin e stabilitetit financiar dhe buxhetor të Republikës së Kosovës, por edhe në krijimin e kushteve të tregut të barabartë për të gjitha bizneset, duke eliminuar evazionin fiskal dhe duke siguruar kushte të barabarta në treg.
Sakip Imeri, drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, ka theksuar orientimin që e ka ky institucion për stabilitet të qëndrueshëm buxhetor për Republikën e Kosovës.
Imeri tha se prioritet mbetet përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues, transparenca, dhe luftimi i evazionit fiskal.
“Rrugëtimi i ATK-së është shoqëruar me mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, tatimpaguesve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Rezultate në mbledhjen e të hyrave kanë ngritje te vazhdueshme, kështu për 17 vjet janë mbledhur 4,6 miliardë euro të hyra”, tha drejtori Imeri.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka lavdëruar percepcionin pozitiv të krijuar për punën e ATK-së, dhe për këtë gjë ka falënderuar Qeverinë për një dialog konstruktiv me sektorin privat.
“Kemi pas një partneritet shumë të mirë me Administratën Tatimore qoftë me hartimin e ligjit, qoftë në pako fiskale, qoftë në ndryshime tjera. Të gjitha këto kishin qenë të pamundura pa një sinkronizim të zërit të biznesit”, tha Gërxhaliu.
Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka lavdëruar suksesin e arritur të ATK-së.
“Personalisht kam parë një reduktim të ankesave të bizneseve karshi edhe Administratës Tatimore të Kosovës edhe Doganave, dhe uroj që në secilin përvjetor të këtyre dy institucioneve të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave të Buxhetit të vendit të dëgjojmë vetëm fjalë të mira, dhe natyrisht sa më pak kritika, edhe pse besoj që kritikat do t’i pranoni me konstruktivet, ashtu siç i shprehim gjithmonë”, tha Zeka.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...