Nisin verifikimet për pasurinë e deputetit Alfred Peza

17 Janar 2017 - 10:11      

Në Shqipëri Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI) njoftoi se ka nisur procedurat e të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të deputetit Alfred Peza.

Verifikimi ndaj tij nisi pasi në shtyp u publikua fakti se bashkëshortja e deputetit socialist kishte blerë në fillim të vitit 2015, 1 për qind të aksioneve në bankën Credins për një vlerë prej 113 milion lekësh që me kursin aktual i korrespondon afërsisht me 880 mijë dollarë amerikanë.

“Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur”, saktëson njoftimi i ILDKPKI-së, ndërsa shton se “Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme”.

Menjëherë pas këtij njoftimi reagoi deputeti Peza. “Mirëpres kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ që ILDKPKI ka nisur sot në lidhje me pasurinë e familjes time. Inkurajoj ILDKPKI-në t’i shkojë deri në fund, me shpejtësi, paanësi dhe profesionalizëm këtij hetimi të thellë e shterues”, shkroi ai në Facebook.

Në mbrëmje, në mjediset e jashtme të parlamentit, deputeti Peza, i cili u zgjodh si përfaqësues i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2013, pas një karriere të gjatë në median e shkruar dhe televizive duke mbajtur pozicione drejtuese për shumë vite, theksoi se pasuria prej 113 milion lekësh, me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është vënë nga kursimet. Zoti Peza tha se gjatë viteve që ka punuar si drejtues në media ai ka pasur paga mjaft të larta disa milion lekëshe, ndërsa shtoi se pas vitit 2013, kur ai është bërë deputet, pasuria e tij nuk është shtuar, përveç interesave nga depozitat bankare.

Në deklaratën e tij në mars të 2014, zoti Peza në fakt ka deklaruar që e shoqja të jetë zotëruese e një depozite bankare me vlerë 97.7 milion lekë, ndërsa ai vetë i një depozite prej 94 mijë lekësh, përveç dy apartamenteve një në Tiranë dhe një në bregdetin e Durrësit. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...