35 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka

17 Janar 2017 - 08:30      

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 35 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova, shkruan kp.

Atentati ka ndodhur përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur. Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba; Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe vëllain Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: "Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit".

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.

Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: "Ka qenë UDB-ja".

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: "E tëra dukej si pas një ekzekutimi".

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, "tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse".

Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite. Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...